Futboll

Daja entuziast për Partizanin: Kemi bërë dy afrime, do dublojmë çdo rol

Pa bërë asnjë afrim në verë për shkak të bllokimit të merkatos dhe me Çinarin të pezulluar, Partizani ia doli të qëndrojë në vendet e para në 12 javë kampionat. Të kuqtë e mbyllën 2020-ën në vend të 3-të, 1 pikë pas vendit të dytë dhe 7 pas Vllaznisë kryesuese. Merkatoja tashmë është zhbllokuar dhe trajneri Ilir Daja është më entuziast.

“Së pari, dua të uroj një vit sa më të mbarë për të gjithë shqiptarët, sidomos për komunitetin e futbollit”, – e ka nisur konferencën për shtyp trajneri i Partizanit. Ai ka folur më tej për ndryshimet që pritet të pësojë organika e skuadrës që drejton: “Kanë qenë të piketuara disa pozicione, duam të dublojmë rolet, sepse mendoj se ky është problemi më i madh, ngaqë kampionati ka shumë ndeshje.

Partizani, duke festuar një gol. Gazeta Si, 8 nëntor 2021

Të drejtosh Partizanin sigurisht që do kesh presion, pasi pritshmëritë janë maksimale, është një nga klubet më të titulluar në Shqipëri. Deri tani kemi dy lojtarë të afruar zyrtarisht, një mesfushor me tipare sulmuese, Murataj, dhe një sulmues i pastër, Zhunior. Kemi 4 mbrojtës, por do gjejmë mundësinë ta përforcojmë këtë repart. Nuk duam të nxitohemi dhe të bëjmë gabime, që mund të na kushtojnë në të ardhmen në kosto dhe në cilësi.

Nuk duam vetëm një Partizan sot për sot, duam aranci edhe për të ardhmen. Nuk mundet vetëm të shpenzojmë pa fund dhe të mos kemi merkato në dalje. Për emra si Solomon dhe Asani duhet të jemi shumë të kujdesshëm, vetëm nëse klubi merr një bonus financiar dhe lojtarët shkojnë në një kampionat, ku mund të rriten, do të bëhen lëvizjet. Vëmendjen kryesore e kemi te përforcimi i mbrojtjes. Belica është mungesë e rëndësishme, është zv/kapiteni i ekipit. E kemi mbuluar me Brojën, i cili është mesfushor”.

Trajneri Daja foli edhe për ndeshjen e nesërme me Apoloninë: “Nuk besoj se do ketë ndryshime të mëdha, afrimet nuk janë bërë akoma pjesë e ekipit, duan kohën e vet për t’u përshtatur me manovrën tonë. Kontingjenti është më i freskët, kemi rikuperuar energji dhe besoj se ritmi do të jetë ndryshe nga ndeshjet e fundvitit. Nëse mendojmë se është e lehtë me Apoloninë, do të gabonim. Nuk ka shumë diferenca në kampionatin shqiptar, çdo ndeshje duhet të fitohet dhe duhet sakrificë dhe motivim”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë