Politike

Dalja e pakët e Edi Ramës dhe çfarë e bashkoi politikën shqiptare më 25 prill

Deri në orën 19.00 që shënoi edhe mbylljen e orarit zyrtar të votimit, (përveç atyre që ishin në radhë për të votuar) Kryeministri Edi Rama kishte daljen e vetme për mediat atë të orës 10.30  të paradites, kur votoi në Surrel.

Ndryshe nga Basha, Meta dhe së fundmi edhe Kryemadhi, Rama ka qenë shumë më pak aktiv në daljet e tij publike, ndërsa si rrallë herë atë që e bashkoi politikën ditën e zgjedhjeve ishte thirrja në  një zë për të votuar.

Një qëndrim i përbashkët që në njëfarë mënyre riktheu në sistem politikën shqiptare.  

E filloi Lulzim Basha qysh në orën 9.00 kur votoi në Tiranë, për të përsëritur më pas thirrjen për të votuar në Durrës, Elbasan.

Basha përcolli një video në Facebook të disa personazheve të shoëbizit sërish duke bërë thirrje për të votuar.

Disa herë zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo më të njëjtin mesazh deri në një dalje të orës 18.00 të Lulzim Bashës nga selia blu.

Sërish me të njëjtën thirrje: Votoni, votoni.   

“Nëse nuk keni votuar akoma merreni këtë mundësi tani dilni nga shtëpitë tuaja, votoni për fëmijët tuaj, për familjet tuaja, për vendin tonë, për të ardhmen e Shqipërisë.

Nëse keni votuar faleminderit! Trokisni në një derë tek dikush që nuk ka votuar, merreni çojeni të bëjë edhe ai apo jo detyrën ndaj  fëmijëve dhe të ardhmes tonë të përbashkët.

Është një ditë e mrekullueshme për demokracinë shqiptare.

Është dita kur të gjithë së bashku do të ndërtojmë një Shqipëri të shpresës dhe të ardhmes për çdo shqiptarë.

Edhe një orë për të marrë fatin tonë në dorë, dilni masivisht dhe votoni. Dilni dhe votoni në kutitë e votimit”, tha Basha me një grup të rinjsh nga selia e PD-së.  

Thuajse të njëjtën thirrje kishte edhe Ilir Meta sa në Shijak, Durrës e Vlorë. Së fundmi edhe Monika Kryemadhi doli në një konference për shtyp për të falënderuar zgjedhësit por për të bërë edhe ajo thirrjen e fundit.  

“Lërini për 5 minuta dhe drejtojuni qendrave të votimit. Për të gjithë ju burrat, që keni luftuar gjithë këto kohë për të mbajtur familjet tuaja, drejtohuni në qendrat e votimit dhe bëhuni pjesë e ndryshimit. Për të gjithë ju gjyshër dhe gjyshe, të cilët nuk keni pasur mundësi për të lëvizur, merrni në telefon nipërit tuaj që t’iu marrin me makinë dhe t’iu çojnë në qendrat e votimit…”, tha Kryemadhi.

Një thirrje për të votuar u përcoll zyrtarisht edhe nga PS, përmes zëdhënëses së fushatës,  Bora Muzhaqi.

“Mbeten edhe minutat e fundit dhe kush nuk ka votuar ende të përfshihet në proces. Ushtrojeni të drejtën tuaj themelore në këtë ditë ku politika hesht dhe populli flet. Sa më shumë të marrim pjesë në zgjedhje, aq më shumë politika i kushton rëndësi halleve dhe problemeve tona. Votoni, votoni, votoni!”, tha ajo.

Thirrja si asnjëherë tjetër për të votuar masivisht në një ditë kur vetëm pjesëmarrja në votime nuk ishte asfare problem, madje tej parashikimeve, tregon se secila prej partive politike nuk e ka ende të qartë skemën se çfarë fshihet në kutinë e votimit duke fituar për pasojë kohë, ose e kundërta, por që në  publik secila po ndjek strategjinë e njëjtë për ta shfrytëzuar më pas në favorin e vet.

Gjithsesi ajo që po kuptohet është se sipas të dhënave paraprake të partive, rezultati mund ta ngjajë tepër i ngushtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë