Fatjon Rupi – Me emrin “Drumba” humoristi dhe prezantuesi Salsano Arapi pagëzoi një nga personazhet e tij në spektaklin “Portokalli”. “Drumba” ishte një futbollist afrikan, i prezantuar si superstar në futbollin shqiptar, pavarësisht se pretendimet e tij ishin modeste. Mjaftonte të ushqehej mirë dhe pastaj ai bënte “çudira” me topin. Ai ishte një personazh i frymëzuar nga lojtarët e shumtë afrikanë, që kanë pushtuar ekipet shqiptare, një fenomen që shpesh është bërë çështje, pasi kufizon zhvillimin e talenteve shqiptare, por që edhe vendi ynë, si kudo në botë, nuk i shpëton dot.

Nuk ka asgjë të çuditshme, kur skuadra të ndryshme të vendit, kryesisht jo të njohura si shkolla futbolli, i drejtohen tregut afrikan për të bërë përforcime. Një zgjedhje e detyruar, sepse tregu vendas është përgjithësisht i varfër dhe në Afrikë mund të blihet lirë. Por të tingëllon vërtet çuditshëm, që në këtë treg të shohësh drejtuesit e Vllaznisë. Dhe jo për lojtarë të gatshëm, që i duhen skuadrës për një objektiv të momentit, për një objektiv sezonal. Klubi shkodran ka arritur një marrëveshje me një akademi në Nigeri, nga e cila do të marrë talente. Administratori i klubit, Suad Lici, dhe drejtori sportiv Engin Firat, kanë qenë në Nigeri për këtë bashkëpunim, që e kanë marrë shumë seriozisht. “Derby Futboll Academy” në Nigeri ka tashmë një akord me drejtuesit e Vllaznsië, që shkodranët të kenë të drejtën e transferimit të lojtarëve afrikanë në klube të huaja. Lajmi është konfirmuar nga faqja zyrtare e Vllaznisë.

“Ne duam të marrim lojtarë 18-20-vjeçarë për t’i provuar te Vllaznia B, që ata të përshtaten me futbollin shqiptar dhe me lojtarët e talentuar shkodranë. Kur të jenë gati, do të jenë pjesë e Vllaznisë A”, – ka thënë administratori Lici. Trajneri i Vllaznisë, Hasan Lika, do të shkojë në Nigeri për të përzgjedhur lojtarët më të talentuar. Mund të duket diçka krejtësisht normale në futbollin e sotëm, në kushtet e ekonomisë së tregut, por vërtet që ta vret veshin ky lajm, kur përmendet emri i Vllaznisë, djepit të futbollit shqiptar dhe skuadrës që ka, pse jo, fidanishten më të mirë në Shqipëri.
Në Shkodër nuk ka qenë asnjëherë problem mungesa e talenteve apo vakuumi i brezave. Produkti ka qenë gjithmonë, madje mjaft cilësor, por nuk është administruar si duhet. Ndoshta do të ishte më mirë që drejtuesit e Vllaznisë të investonin më shumë tek ekipet zinxhir, që në të ardhmen tifozët shkodranë të kënaqeshin në stadium duke parë me fanellën kuqeblu djemtë e qytetit të tyre. Gjithsesi, rima e shprehjes së tyre të famshme “me ken shkodran, tana i ban”, mbetet edhe te “me ken afrikan, tana i ban”…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje