Komunitet

Debat edhe për bukën/ Bagetën më të mirë në Paris e fiton një tunizian, por ekstremistët e djathtë akuzojnë: Është islamist

Konkursi për bagetën më të mirë në Paris u fitua të premten e kaluar nga Makram Akrout, një tunizian i cili mbërriti në Francë pa dokumente njëzet vjet më parë, pastaj u bë francez dhe bukëpjekës në furrën Les Boulangers.

Përpos çmimit, bukëpjekësi Akrout fitoi gjithashtu të drejtën që për një vit të furnizonte pallatin Elysée.

Por në prag të ceremonisë, të planifikuar për të shtunën më 2 Tetor para oborrit të kishës Notre Dame, disa militantë të së djathtës ekstreme dhe gazeta Causeur përhapën disa mesazhe që mund jenë postuar në të kaluarën nga Akrout në Facebook.

Policia po përpiqet të verifikojë nëse ai është vërtet autori i tyre.

Për shembull: “Franca inkurajon dhe propagandon dekadencën në vendet tona për të mbrojtur interesat e saj koloniale dhe na shtyn të largohemi nga feja dhe vlerat islame”; “Ne qamë për Charlie Hebdo dhe Notre-Dame, por nga ana e Francës, këta qen nuk qajnë kur krijuesi Allah është tallur.”

Para drejtuesve të sindikatës së bukëpjekësve, të cilët organizojnë çmimin, bukëpjekësi deklaroi se llogaria e tij ishte piratuar.

Ai gjithashtu kishte vendosur të mos shkonte në ceremoni

Çmimi për bagetën më të mirë është traditë në Paris, dhe vitet e fundit është fituar pesë herë nga bukëpjekës me origjinë tuniziane

Elysée kishte shpërndarë komplimentet e Presidentit Macron për fituesin në Tëitter: “Në fund ka mbetur vetëm një! Bravo për Makram Akrout i cili fitoi çmimin për bagetën më të mirë në Paris për vitin 2021. Siç e dikton tradita, ai do t’i japë bukë Elysees për një vit “.

Autoritetet ndërkohë po analizojnë rrëfimet e Akrout për të kuptuar nëse ky është një provokim nga e djathta ekstreme apo nëse ai vërtet ka pozicione të afërta me ato të islamistëve, gjë që do ta bënte të vështirë furnizimin e tij në Elysée.

Rituali i bagetës më të mirë ndjek rregulla mjaft strikte.

Juria në çdo provë jep notën bazuar në pesë kritere: pamja, gatimi, konsistenca, aroma dhe shija.

Në fillim, bagetat kandidate ishin 173, duhet të kishin një gjatësi  55- 70 centimetra, një peshë midis 250 dhe 300 gramë dhe 18 gram kripë për kilogram miell.

Fakti që qytetarët me origjinë arabo-myslimane janë bërë mjeshtër të këtij arti tipik francez ka një kuptim të dyfishtë politik: për ithtarët e mikpritjes dhe integrimit është një nga dëshmitë e shumta të mundësisë dhe pasurisë së “jetesës së bashku”; për kundërshtarët e emigracionit, është një nga të dhënat se shoqëria po shtrembërohet dhe të huajt priren të zënë vendin e francezeve, sipas teorisë së “Zëvendësimit të Madh” nga Renaud Camus e risjellë kohët e fundit nga analisti (dhe kandidati i mundshëm në Elysee) Eric Zemmour.

Kjo është arsyeja pse, kur dëgjuan çmimin e Makram Akrout, grupet e së djathtës ekstreme menjëherë iu futën llogarisë së tij në mediat sociale.

Përshtati në Shqip: Gazeta “Si”  


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë