Politike

Tabaku: Buxheti, qokë! Ibrahimaj: Opozita e vulës s’flet për ekonomi. Edhe Braçe kundër ndryshimeve

Nga Gazeta ‘SI’ – Ndryshimet e buxhetit 2022, në ditët e fundit të vitit kanë sjellë debate në Kuvend midis deputetëve dhe ministres së Financave, Delina Ibrahimaj. Pas prezantimit të ndryshimeve që do të bëhen në buxhet, fjalën e mori deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, e cila tha se janë thjeshtë qokë dhe nuk synojnë mbrojtjen e qytetarëve nga inflacioni i lartë.

“Ky është inflacion socialist, jo i luftës. Rritja e kësteve të kredive që kanë marrë familjet shqiptare shoqëruar me rritjen e inflacionit po gërryen përherë e më shumë ato pak kursime që kjo shtresë ka vendosur këto vite. Statistikat tregojnë se thuajse 70% e të punësuarve në Shqipëri nuk përballojnë dot kostot normale të jetës, ja pse ikin. Qeveria flet për Pasaportat e Arta dhe Amnistinë Fiskale, ndërsa shtresa e mesme varfërohet dhe zgjedh të largohet sepse në Shqipëri taksohet dija, puna dhe frenohet tregu i lirë qeveria sjell në kuvend një projektligj për të ardhurat. Në fund të ditës pyet veten, çfarë vlerë ka parlamenti e komisioni nëse çdo propozim që t’i jep hidhet poshtë e shkilet me dy këmbë. Shqiptarët nuk jetojnë me zgjedhjet”, – mbylli fjalën e saj Tabaku.

Pas saj, ministrja Ibrahimaj mori fjalën përsëri për t’i thënë deputetes demokrate se inflacioni është i Putinit, jo i socialistëve dhe se ndërhyrja e qeverisë në buxhet me 4 herë e ka mbajtur atë në kontroll. Ministrja iu drejtua deputetes Tabaku duke i thënë se “opozita e vulës nuk mund të flasë për rritjen ekonomike sepse shohin vetëm terr dhe zi.”

Kjo referencë vazhdoi me një tjetër replikë nga Tabaku dhe ndërhyrjen e kolegut të saj, Gazment Bardhi, i cili i tha ministres Ibrahimaj të tregojë se kush ia ka blerë shtëpinë dhe më pas të flasë në Kuvend.

“Të të vijë turp që ke ardhur nga rruga dhe je bërë aty ministre dhe më thua mua opozita e vulës. Është herezi këtu të flasësh me shifra se këta duan rrëmujë. Ke ndejtur 12 muaj kot e mendon se do e ekzekutosh buxhetin për 1 muaj. Askush nuk e ka paaftësinë tënde dhe arrogancën tënde dhe korrupsionin tënd”, – përfundoi Tabaku fjalën e saj.

Kundër ndryshimeve në buxhet foli edhe deputeti Erion Braçe, duke prekur se është e padrejtë dhe çmenduri që nga 152 mld lekë shtesë për buxhetin e dhjetorit vetëm 200 mln jepen për bujqësinë.

“Nga 152 mld që do të paguhen këtë muaj, kërkova 1 mld lekë, 1/152, që ata të paguajnë naftën. Duhet ta marrin së kanë mbjellë fushat me naftën 242 lekë për litër na besuan ne. Ka ndonjë ekspert të më thotë se si mund të shpërndahen vetëm 200 mln? Ata na kanë bërë deputet, jetë më të mirë se jeta e tyre? Ata nuk kanë jetë, jetë e tyre është punë. Kur votoni për lopët ju mendoni për bizneset jo për fermerët. Ne nuk e duam jetën e tyre, pro pse ia kthejmë atyre në ferr? Ndaj ikin. Bujqësia nuk është AZHBR. Në nëntor kishim 9.5 mld lekë suficit dhe më 31 dhjetor presim 83 mld lekë deficit. Dyshoj se mund të dalin nga shinat”, -tha deputeti Braçe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë