Politike

Debati / A është arsimuar Belind Këlliçi konform rregullave apo jo dhe çfarë thonë dokumentet

Në disa media prej ditësh po përflitet nëse Belind Këlliçi është arsimuar konform ligjit apo ajo dhe mbi të gjitha nëse vetë kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” ka gënjyer për rrugën e arsimimit të tij universitetin e Coppin State U.S.A ku përfundoi studimet e larta për menaxhim.   

Disa media kanë publikuar dokumente se Belind Këllici nuk ka marrë diplomën e shkollës së mesme në Institutin “Harry Fultz”, “Dega Biznes”.

Mediat nxorën një dokument të datës 16 janar 2023 lëshuar nga  Instituti “Harry Fultz”, (që në fakt ishte përgjigje e një kërkese drejtuar Plarent Ndrecës përfaqësuesi ligjor i PS) ku thuhej se Belind Këlliçi kishte përfunduar vetëm 4 vite studime nga cikli 5 vjeçar i Degës Biznes.

Një tjetër dokument shtetëror nga ministria e arsimit me datë 09 shkurt 2023  konfirmonte se në regjistrat e maturës shtetërore nuk gjendej emri i Këlliçit.

Dokumenti tregonte se Belind Këlliçi nuk ishte futur në provimet e Maturës Shtetërore, e për rrjedhojë nuk ishte pajisur me një diplomë të vlefshme të shkollës së mesme, si rruga e vetme ligjore për të ndjekur një universitet jashtë.

Në një përgjigje nga vetë stafi i Belind Këllicit thuhet se për studentë të shkëlqyer “Harry Fultzi” ndiqte një praktikë të veçantë atë të ndërmjetësimit për shkollimet jashtë.

“Kjo shkresë e Harri Fultz, tregon se Belind Këlliçi ka qenë nxënësi me mesataren 9.7 dhe nisur nga këto rezultate është zgjedhur dhe President i Këshillit Studentor ne vitin 2004.  Shkresa e shkollës, tregon se si në shumë raste të tjera, si një praktikë që e kanë ndjekur shumë nxënës për të vijuar studimet në SHBA, në Britani, apo Çeki, edhe në rastin e Belind Kelliçit, kjo ka ndodhur pas 4 viteve. Procesi i pranimit në Universitetin shtetëror të Marylend-it, është shumë serioz.

Në Universitetin e Marylend-it, nuk ka asgjë të ngjashme me “Kinema Baldushkun” e Erjon Veliajt, dhe nuk blihet një pishë me 5 mijë euro.

Belind Kelliçi është pranuar, ka dhënë të gjitha provimet e standardizuara që kërkon procesi, ka marrë bursë, ka pasur rezultate të shkëlqyera, ka marrë 123 kredite, nga 120 që kërkon ligji atje, ka marrë medalje, është diplomuar me titullin “Summa Cum Laude” dhe është shpallur Studenti me mesataren më të lartë në diplomim.  Duke parë se njerëzit po reagojnë, se njerëzit e duan ndryshimin. Duke parë se nuk ka bilanc dhe se në 8 vite ka keqqeverisur dhe ka abuzuar me buxhetin më të madh që ka pasur ndonjëherë ndonjë bashki, Erjon Veliaj në këto kushte është gati të sulmojë edhe Shkollën “Harry Fultz”, edhe Universitetin e Marylend-it”, tha Silvi Bardhi zëdhënësja e fushatës së Belind Këlliçit, duke publikuar edhe dokumentin nga Harry Fultz.

Dokumenti i leshuar nga Harry Fultz per shkollimin e Belind Kellicit

Në gjithë këtë histori dhe përplasje dokumentesh kleçka që mbetet është se si u regjistrua Belind Këlliçi në Universitetin e Marylend-it në vitin 2005, pa pasur një diplomë të shkollë së mesme.

Edhe nëse rregullat arsimore në Maryland ishin ndryshe, a mund ta njihte me pas shteti shqiptar diplomën universitare të tij sa kohe që ligji parashikon si detyrim edhe diplomen e shkolles se mesme apo dëftesën e pjekurisë, një detaj ky që duhet sqaruar nga stafi i tij, sa kohë që me apo pa dashje nuk u prek as në deklaratën e të hënës nga Silvi Bardhi. Duhet nënvizuar gjithashtu se në vitin 2005 kohë kur ai ka filluar studimet jashtë, në Shqipëri aplikohej një sistem krejt i ndryshëm arsimor nga ai i sotmi.

Për të kryer njësimin e diplomës sipas ligjit shqiptar, duhet të kesh përfunduar shkollën e mesme. Edhe për rastin në fjalë, pragu i pranimit për programin e studimit (managment science) që ka ndjekur Këllici jashtë vendit për tre vite e gjysëm është përfundimi i shkollës se mesme.

Ky detyrim vërehet qartazi në një dokument të datës 18 nëntor 2010 nga komisioni prej pesë anëtarësh i ngritur nga ministria e Arsimit dhe Shkencës (atëkohë drejtohej nga PD) që kanë njësuar apo njohur diplomën e lëshuar nga Universiteti i Coppin State me program katër vjeçar si Master i Shkencave në Shkencat e Menaxhimit në Maryland.

Të pesë anëtarët kanë firmosur për njësimin e diplomës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë