Politike

Debati në Kuvend / SHISH: Të dhënat tepër sekret, seancë e mbyllur. Noka: Dorëzojmë edhe këpucët, por sekretet janë sheshit    

Komisioni për Sigurinë Kombëtare u përfshi të hënën në debat kryesisht nga deputetët e opozitës. Kjo edhe për vetë temën që do diskutohej. Komisioni kishte thirrur një seancë dëgjimore me SHISH lidhur me sulmin kibernetik ndaj sistemit TIMS në datë 8 shtator 2022, dhe ndërprerjen e sistemeve kompjuterike qeveritare dhe pezullimin e shërbimeve online në muajin korrik 2022.

ZV-Drejtori i SHSH Olian Kanushi tha se të dhënat janë tepër sekrete duke kërkuar mirëkuptimin e deputetëve që seanca të mbahej me dyer të mbyllura, një kërkesë kjo që në parim mori mbështetjen e të gjithëve por argumentimi ishte i ndryshëm.

Deputeti Ervin Salianji kërkoi që një pjesë e mbledhjes të këtij komisioni të mbahej më dyer të hapura.  “Duhet t’i japim siguri qytetarëve shqiptarë por edhe institucioneve që jemi në rrugën e duhur dhe që institucionet po funksionojnë…”, tha  Salianji.

 Deputeti tjetër i opozitës, Ferdinand Xhaferaj nuk e cilësoi normale kërkesën që deputetet te pajiseshin me cerfitikatën e sigurisë, ndërsa Xhemal Qefalia tha se jemi në një situatë jo normale ndaj dhe seanca duhet të vijojë me dyer të mbyllura.

Flamur Noka në anën tjetër iu përgjigj pozitivisht kërkesës së drejtuesit të seancës Nasip Naço për të dorëzuar edhe celularët me qëllim që raportimi i drejtuesit të SHISH të mos incizohej, ndërsa ironizoi se seanca me dyer të mbyllura kishte pak kuptim sa kohe që gjithë të dhënat sekrete të shqiptarëve kanë dalë sheshit.    

“Mirë bëjmë që dorëzojmë celularët madje i dorëzojmë të gjitha  edhe këpucët, por sot shqiptarët kanë dorëzuar çdo të dhënë të tyre konfidenciale private dhe publike sepse ka një qeveri që vetëm vjedh dhe nuk ruan sistemin Kjo është një cështje mjaft sensitive për cdo qytetar shqiptar. Nuk ka asnjë sekret pavarësisht se po mundoheni ta kanalizoni në linja të tilla. Çfarë sekreti ka sot ku cdo e dhënë sot ndodhet në duart të hakërave iranianë sot Irani ka në dore dhe jo vetëm edhe hakerat serbe dhe ruse kanë në dore çdo të dhënë të qytetarëve shqiptarë. Nuk ka siguri kombëtare nuk mund të mbahet sekret ajo që nuk është sekret as për Iranin,  siguria kombëtar është cenuar…”, tha Noka i cili është ndërprerë nga drejtuesi i seancës që kërkoi disa minuta pushim. Më pas mbledhja vijoi me dyer të mbyllura


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë