Lajme

Debati për dekretet, Ruçi: Meta duhet të shprehet me kushtetutë

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, zhvilloi një bashkëbisedim me gazetarët për aktivitetin politik të parlamentit.
Ai është pyetur nga gazetarët edhe për vendimin e presidentit Ilir Meta për të dekretuar shkarkimin e Ditmir Bushatit nga posti i ministrit të Jashtëm dhe emërimin në vend të tij të kryeministrit Edi Rama. Ruçi teksa komentoi Kushtetutën, tha se emërimet dhe shkarkimet, që nga presidenti, kryeministri deri te ministrat, bëhen nga parlamenti. Sipas Ruçit, kompetencat e Metës duhet të shprehen me kushtetutë.
“Neni 76 i kushtetutës ku flitet për kryetarin e Kuvendit, mes të tjerave thuhet: Kryetari siguron respektimin e të drejtave të kuvendit dhe anëtarëve të tij.
Neni 1 i kushtetutës në paragrafin e tij hapet me fjalimin: Shqipëria është republikë parlamentare.
Çdo të thotë kjo? Kjo do të thotë që duke filluar nga presidenti, kryeministri dhe institucionet emërohen e shkarkohen nga parlamenti.
Po merrem me nenin 93 të kushtetutës, i cili thotë: Presidenti në zbatim të kompetencave të tij shprehet me dekrete.
Unë nuk vë në diskutim, ka të drejtë të thotë presidenti ‘Po’ ose ‘Jo’. Po ato që thotë kushtetuta, presidenti duhet t’i shprehë me dekrete. Kjo do të thotë që edhe kur jep pëlqim edhe kur nuk e jep pëlqim duhet të nxjerrë dekret”, shprehet Ruçi.
Ruçi i bëri apel edhe shumicës dhe opozitës për gjetjen e konsensusit për reformën zgjedhore, pasi sikur tha ai, KQZ ka nevojë për librin e rregullave. “Apeloj pozitën dhe opozitën që ditët që na kanë mbetur të mos kthehen në muaj. KQZ ka nevojë për librin e rregullave. Draftin e depozituar nga PS-ja nuk e fus në kalendar, opozita dhe pozita të bashkëpunojnë, do të fus në kalendar vetëm draftin e komisionit”, shprehet kryeparlamentari.
Po ashtu, Ruçi shprehet edhe për objektivat për këtë sesion parlamentar. “Kuvendi do të marrë përgjegjësi për reformën zgjedhore dhe garantimin e zgjedhjeve. Do të kompletohen organet e drejtësisë, Kuvendi do të krijojë kushtet për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, SPAK dhe Byrosë”, tha ndër të tjera Ruçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë