Politike

Dëgjesa e banorëve të 5 majit, Dhurata Çupi: 10 ditë më pas, asnjë përgjigje nga bashkia

Nënkryetarja e Komisionit të Ligjeve, deputetja e PD-së, Dhurata Çupi i bëri thirrje deputetëve të mazhorancës të respektojnë ligjin dhe të informojnë banorët e 5 majit, siç u mor përsipër gjatë dëgjesës së tyre. Çupi vërejti se edhe 10 ditë pas dëgjesës, bashkia nuk ka bërë asnjë veprim për t’i informuar dhe as komisioni i ligjeve nuk ka vënë bashkinë nën presionin e duhur për ta bërë këtë gjë.

“Para disa ditësh ne këtu zhvilluam një dëgjesë publike. Në dijeninë time është e vetmja dhe e para dëgjesë e këtij lloji në Kuvendin e Shqipërisë dhe në Komisionin e Ligjeve, ku këtu ishin të ftuar qytetarët e Lagjes “5 Maji”, të njohur për një shqetësim dhe problematikë të tyre.

 Është e vërtetë që ne i dëgjuam, por ne atyre duhet t’u japim besimin që përveçse i dëgjojmë edhe ua zgjidhim hallin apo problematikat nëse ata kanë të drejtë dhe ne kemi detyrim t’u japim atyre të gjithë dokumentacionin dhe arsyetimin e mundshëm ku ata kanë të drejtë, ku janë cënuar dhe ku nuk kanë të drejtë.

 Ne nuk mund ta lëmë këtë dëgjesë publike në heshtje, ose pezull. Ju në mbyllje të dëgjesës deklaruat se të gjitha shqetësimet e qytetarëve do t’jua nisni institucioneve shtetërore. Tashmë ka kaluar një afat rreth 10 ditor ndërkohë qytetarëve u prishen shtëpitë çdo ditë”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë