Lajme

Dekani i Juridikut kërkon “fakultet” tjetër. Përplasje mes studentëve

Dekani i Fakultetit Juridik, Artan Hoxha i është drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ku kërkohen ambiente të tjera për zhvillimin e procesit mësimor, pasi ambientet në Fakultetin Juridik janë të bllokuara nga studentët bojkotues.

Dekani i Fakultetit Juridik, Artan Hoxha

“Ne ambientet i kemi të bllokuara jo vetëm me studentë të fakultetit tonë, të cilët në dijeninë time janë të paktë në numër. Janë të shumtë ata që nuk janë të fakultetit tonë. Shpresoj nga dita e nesërme të nisë programi mësimor, pavarësisht se do të jetë në ambiente të tjera. Komunikuam me drejtuesit e Universitetit të Tiranës, rektori nuk na është përgjigjur. Unë e marr dhe nuk kam komunikim me të, vetë kam folur me Ministrinë e Arsimit. Po shikojmë mundësinë që të na vihen në dispozicion ambiente të tjera për të zhvilluar programin mësimor”, shprehet dekani i Fakultetit Juridik.

Ndërkohë, më herët në Fakultetin Juridik ka pasur tensione dhe përplasje mes grupeve të studentëve. Grupi i studentëve që vijojnë ngujimin, nuk lejojnë pjesën tjetër që të realizohet mësim deri në plotësimin e kërkesave të tyre, duke përfshirë edhe anulimin e ligjit për arsimin e lartë.

Mjediset e bllokuara të Fakultetit Juridik

Pjesa tjetër e studentëve që kërkojnë mësim dhe që duken më të shumtë në numër kanë hequr karriget nga dera e Fakultetit, çka ka sjellë revoltën e studentëve të ngujuar. Studentët e ngujuar shprehen se do të vijojnë të qëndrojnë, madje po shohin edhe mundësinë e grevës së urisë.
Ndërkohë edhe pedagogët gjatë mbledhjes së zhvilluar të premten në godinën “Iliria” vendosën që t’i japin vetëm një javë afat kohor – deri në 1 shkurt – qeverisë që të anulojë ligjin për armimin e lartë si dhe rishikimin e VKM-ve.
Ata u shprehën në unison se nëse qeveria nuk do të reagojë pozitivisht ndaj kërkesave të tyre, pedagogët do të pezullojnë procesin mësimor si dhe do të përshkallëzojnë protestat deri në grevë urie.

Gjatë takimit të Asamblesë së Pedagogëve të Universitetit të Tiranës

“Presim përgjigje dhe masa konkrete brenda datës 1 shkurt 2019 për pikat tona. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë do t’i drejtohemi të gjithë trupës akademike të universiteteve publike në nivel kombëtar, për grevë të përgjithshme. Ftojmë të gjitha universitetet e tjera publike të shprehen dhe të koordinojnë qëndrimet për sa më sipër”, thuhej në deklaratën e tyre.

Nëpërmjet një deklarate drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe Ministres së Arsimit, të Sportit dhe të Rinisë, Besa Shahini pedagogët janë shprehur:

  1. Rikonfirmojmë mbështetjen e studentëve për kërkesat e tyre.
  2. Shprehemi kundër Ligjit “Për arsimin e Lartë” 80/2015, si dhe kërkojmë shprehjen e vullnetit të qeverisë për fillimin e procesit legjislativ për hartimin e një ligji të ri për Arsimin e Lartë, në bashkëpunim me studentë, pedagogë dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm, në një proces konsultimi të hapur dhe gjithëpërfshirës.
  3. Kërkojmë shfuqizimin e menjëhershëm të VKM-ve të datës 26 dhjetor 2018: Nr. 777, Nr. 781, Nr. 783, si dhe urdhrat po të datës 26 dhjetor: Nr.183: Nr.184: Nr. 185, të cilat bien në kundërshtim me autonominë universitare dhe lirinë akademike.
  4. Kërkojmë rritjen e buxhetit për arsimin e lartë publik, si dhe 5. Ndalimin e menjëhershëm të fushatës denigruese ndaj pedagogëve dhe miratimin e statusit të pedagogut”

Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë