Ne rrjet

Deklarata e NATO-s: Rusia rrezik numër një, Kina kërcënim për sigurinë. Ftohen Finlanda e Suedia dhe rriten shpenzimet për ushtrinë

Samiti i NATO-s në Madrid miratoi deklaratën e përbashkët të udhëheqësve të vendeve anëtare të Aleancës, ku Rusia përkufizohet si kërcënim direkt për sigurinë e Aleancës, ndërsa Kina si rivale e përhershme kërcënuese e vlerave dhe interesave të NATO-s.

Deklarata me 22 pika nis që në krye me bindjen e të gjitha vendeve anëtare për t’i qëndruar nenit 5 të aleancës, që thotë se lufta ndaj njërit vend, është luftë ndaj gjithë Aleancës.

“Ne përballemi me një kohë kritike për sigurinë tonë dhe paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar. Ne qëndrojmë së bashku në unitet dhe solidaritet dhe riafirmojmë lidhjen e qëndrueshme transatlantike midis kombeve tona. NATO është një Aleancë mbrojtëse dhe nuk përbën kërcënim për asnjë vend. NATO mbetet themeli i mbrojtjes sonë kolektive dhe forumi thelbësor për konsultimet dhe vendimet e sigurisë ndërmjet aleatëve. Angazhimi ynë ndaj Traktatit të Uashingtonit, duke përfshirë nenin 5, është i veshur me hekur. Në këtë mjedis të ndryshuar rrënjësisht të sigurisë, ky Samit shënon një moment historik në forcimin e Aleancës sonë dhe përshpejtimin e përshtatjes së saj”, thuhet në deklaratë.

Deklarata dënon edhe njëherë tjetër agresionin rus në Ukrainë dhe akuzohet Moska për krime lufte dhe shkaktimin e një katastrofe humanitare, ndërsa përshëndetet pjesëmarrja e Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy dhe përsëritet njohja e sovranitetit të Ukrainës sipas kufijve ndërkombëtarë të saj para 2014-s.

Pika tjetër shënjestron Rusinë si kërcënim të drejtpërdrejt për të gjithë aleancën dhe vendet anëtare të saj.

“Ne vazhdojmë të përballemi me kërcënime të dallueshme nga të gjitha drejtimet strategjike. Federata Ruse është kërcënimi më i rëndësishëm dhe më i drejtpërdrejtë për sigurinë e aleatëve dhe për paqen dhe stabilitetin në zonën euro-atlantike”, thuhet aty.

Terrorizmi është kërcënimi tjetër i identifikuar nga NATO, ndërsa Kina shënjestrohet si konkurrentja sistematike që synon të minojë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

“Ne përballemi me konkurrencë sistematike nga ata, përfshirë Republikën Popullore të Kinës, të cilët sfidojnë interesat, sigurinë dhe vlerat tona dhe kërkojnë të minojnë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, thuhet në deklarata.

Krimi kibernetik dhe emigracioni janë shqetësimet e tjera të sigurisë së shprehura nga vendet anëtare.

Si kundërpërgjigje ndaj këtyre kërcënimeve, Aleanca ka miratuar konceptin e ri strategjik të sigurisë. Ai përshkruan mjedisin e sigurisë me të cilin përballet Aleanca, ripohon vlerat e NATO-s dhe shpreh qëllimin kryesor dhe përgjegjësinë më të madhe të NATO-s për të siguruar mbrojtjen kolektive.

Ky koncept përcakton tre detyrat kryesore të NATO-s për parandalimin dhe mbrojtjen; parandalimi, menaxhimi i krizave dhe sigurinë bashkëpunuese brenda Aleancës dhe me partnerët e saj.

Në samit është rënë dakord që të shtohet mbështetja ushtarake për Ukrainën. Kjo do të përshpejtojë shpërndarjen e pajisjeve të mbrojtjes jo-vdekjeprurëse, do të përmirësojë mbrojtjen kibernetike dhe elasticitetin e Ukrainës dhe do të mbështesë modernizimin e sektorit të saj të mbrojtjes në tranzicion për të forcuar ndërveprueshmërinë afatgjatë.

Deklarata thekson zotimin për të mbrojtur çdo centimetër tkë të vendeve anëtare, si përgjigje ndaj kërcënimit të përhershëm rus në vendet balltike, Europën Lindore dhe me anëtarësimin e mundshëm të Finlandës dhe Suedisë edhe ndaj këtyre dy vendeve.

Mes vendimeve është edhe krijimi i një fondi të përbashkët mes qeverive të vendeve anëtare, sektorit privat dhe akademive e universiteteve për të thelluar avantazhin teknologjiko-ushtarak që ka Aleanca ndaj rivalëve.

Deklarata mbyllet me ftesën drejtuar Finlandës dhe Suedisë për t’u bërë pjesë e Aleancës me bindjen se anëtarësimi i këtyre dy vendeve forcon sigurinë e NATO, ndërsa vendet anëtare zotohen që të rrisin buxhetet për mbrojtjen duke përmbushur nenin 3 të traktatit, që kërkon shpenzime jo më pak se 2 për qind të GDP-së së një vendi anëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë