Politike

Kim: Do ketë të tjerë emra non-grata, njohim Bashën kryetar, s’bashkëpunojmë me PD me në krye Berishën

Ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim ka deklaruar se pas Sali Berishës do të ketë të tjerë emra të shpallur “non grata” nga DASH   

“…Nëse pyetja tjetër e juaja do të jetë “A do ketë shpallje të tjera?”, të shohim, besoj se do të ketë dhe ne do të vazhdojmë të tregojmë me gisht ata që përfshihen në korrupsion, ata që minojnë demokracinë dhe këtë vend, të cilin e konsiderojmë mik të ngushtë. Nuk do t’ju braktisim. Kemi bërë rrugë tepër të gjatë. Shtetet e Bashkuara kanë investuar së tepërmi dhe Qeveria Amerikane kujdeset aq sa të mos ta lërë mënjanë këtë”, tha ndër të tjera Kim në një intervistë për “Top Channel”  

Ambasadorja tha më tej se ajo njeh Lulzim Bashën si kryetar të zgjedhur të PD-së dhe se do të vazhdojë ta takojë atë.

“Njohim personin e zgjedhur rregullisht si Kryetar i asaj Partie dhe unë do të vazhdoj të shkoj ta takoj Z. Basha në cilësinë e tij si Kryetar i Partisë. Siç e patë, ligjvënësit dhe vizitorët e tjerë nga Uashingtoni do të bëjnë të njëjtën gjë”, ka thënë Kim.

Çfarë ndodh në marrëdhënien e SHBA me PD nëse ish-kryeministri Sali Berisha merr drejtimin e saj?

“Nuk do të angazhohemi me askënd që është shpallur nga Sekretari i Shtetit. Kjo është një politikë për mbarë botën dhe nuk ka fare të bëjë me individët, por politika e përgjithshme është që nuk mund të imagjinojmë një skenar ku unë apo ndonjë nga pasardhësit e mi të pretendojmë se çdo gjë shkon mirë dhe të shkojmë për kafe me dikë që është shpallur nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor. Nuk ka për të ndodhur”, u përgjigj Kim


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë