Bota

Deklaratat tatimore, Trump pagoi 0 dollarë taksa në vitin 2020 kur ishte president

Gazeta Si – Donald Trump sërish në shenjestër të mediave amerikane për çështjen e taksave.

Ish-presidenti amerikan, në tre vitet e para të qëndrimit në Shtëpinë e Bardhë, pagoi 1.1 milionë dollarë taksa.

Por në vitin 2020 kontributi i tij në arkën e shtetit ishte zero. Lajmi bëhet i ditur nga gazeta “New York Times”, duke cituar të dhënat e lëshuara nga komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve që autorizoi publikimin e deklaratave tatimore të miliarderit, i cili në vitin 2020 raportoi një humbje prej 4.8 milionë dollarësh dhe nuk pagoi taksa mbi të ardhurat.

Në total, në katër vitet e presidencës së tij, Trump ka deklaruar humbje prej 60 milionësh. Këto janë të dhënat e para që filtrohen përmes deklaratave dhe dokumenteve tatimore në duart e “Komitetit të Mënyrave dhe Mjeteve”, komisioni mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve.

Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve votoi pro për publikimin e deklaratave tatimore të ish-presidentit Trump me 24 vota pro dhe 16 kundër, në lidhje me periudhën 2015-2020. Megjithatë, përpara se dokumentet të jenë në domenin publik, mund të duhet pak kohë.

Komisioni ka urdhëruar që dokumentet të dërgohen në Dhomën e Përfaqësuesve. Ish-presidenti ka kundërshtuar publikimin e dokumenteve të tij tatimore që nga viti 2016, duke thyer një traditë të kahershme të politikës amerikane, deri në urdhrin e lëshuar muajin e kaluar nga Gjykata e Lartë, e cila refuzoi apelin e tij të fundit.

Demokrati Brendan Boyle, një anëtar i komitetit, tha: “Kjo është një nga votat më të rëndësishme që kam hedhur si kongresmen dhe e mbështes atë qind për qind”.

Një hetim nga “New York Times” zbuloi se manjati nuk do të kishte paguar taksa federale në njëmbëdhjetë nga tetëmbëdhjetë vitet e deklaratave tatimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë