16 marsi ka qenë afati i fundit që partitë politike të dorëzonin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listat e korrigjuara sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor për zgjedhjet e 25 prillit. Me përfundimin e këtij afati KQZ ka kaluar në fazën tjetër, duke nisur punën për verifikimin e pastërtisë së figurës për emrat e këtyre listave.
E të martën tre emrat e parë i janë dorëzuar zyrës së verifikimit të pastërtisë së figurës për të zgjedhurit, të ngritur në Prokurorinë e Përgjithshme sipas parashikimeve të ligjit të dekriminalizimit. Emrat e dorëzuar nga KQZ kanë qenë Boiken Abazi i Lëvizjes Vetëvendosje, Pal Shkambi, kandidat i pavarur dhe Rezart Tusha, kandidat i Partisë Demokratike në Durrës.
Emri i kreu të Vetëvendosjes në Tiranë, Boiken Abazi është dorëzuar për verifikim nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nën dyshimet se mund të jetë subjekt i dekriminalizimit për aktivizimin e tij në të shkuarën në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë.
Megjithatë, në përfundim të verifikimit Prokuroria ka dalë në rezultatin se Boiken Abazit nuk i ndalohet kandidimi sipas parashikimeve të ligjit të dekriminalizimit, ndërkohë që pritet vendimmarrja për dy kandidatët e tjerë.
Ligji i dekriminalizimit ndalon kandidimin e personave të dënuar sipas parashikimeve të një morie nenesh të Kodit Penal, që nga dënimet për terrorizëm, krime lufte e genocid, e deri tek krimet për korrupsion e dëbimi nga BE, SHBA, Kanadaja dhe Australia për akuzat e lartpërmendura.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje