Rend dhe Ligj

Del ekspertiza mjeko-ligjore për 17-vjeçaren e mbytur në Velipojë: S’ka shenja dhune

Detaje të reja zbardhen nga ngjarja tragjike e ndodhur në Velipojë, ku u gjet e mbytur në det 17-vjeçarja Enisa Doda.

Ekspertiza mjeko-ligjore ka zbuluar se në trupin e vajzës nuk ka pasur shenja dhune.

“Vajza nuk ka shenja dhune. 17-vjeçarja ka humbur jetën nga mbytja. Vajza kishte shenja se i ishte bllokuar frymëmarrja”, thuhet në rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore.

Ndërkohë, mësohet se i arrestuari për ngjarjen e rëndë, 25-vjeçari Indrit Bajraktari nuk ka pranuar të flasë para hetuesve. Ai ka thënë para hetuesve se do të flasë vetëm në gjyq për ngjarjen.

25-vjeçari Bajraktari u arrestua një ditë më parë, ndërsa dyshohet se ka dalë në breg pa e ndihmuar të renë. Ai ishte futur në det me motor uji së bashku me 17-vjeçaren, kur kjo e fundit është rrëzuar, duke humbur jetën në det.

Ndërkohë, pronari i motoskafit, me të cilin po lundronin në det dy të rinjtë, në dëshminë e tij para hetuesve, ai ka thënë se të rinjtë e kanë marrë motoskafin me qira për 30 minuta, por ka qenë një pushues që i ka thënë se njëri prej tyre po mbytej në det.

Siç ka deklaruar pronari i mjetit të ujit, menjëherë ka hyrë në det, ku ka parë 25-vjeçarin Bajraktari të kthehej me not. Pronari e ka pyetur të riun se ku ndodhej 17-vjeçarja dhe ai ia ka kthyer se “vajza takoi në breg xhaxhanë”.

Pronari ka dyshuar mbi ngjarjen dhe nuk e ka lënë Bajraktarin të largohet, i cili ka tentuar të ikë, duke njoftuar policinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë