Futboll

Dëmtimi i Ronaldos alarmon Juventusin, e paqartë koha e rikuperimit

Dëmtimi i Kristiano Ronaldos gjatë ndeshjes Portugali-Serbi e ka alarmuar Juventusin. Ylli i ekipit torinez ka lënë fushën dhe ka ngritur shumë dyshime në lidhje me kohën e rikuperimit. E vetmja gjë e sigurt për momentin është se Ronaldo do të kthehet sot në Torino dhe do të bëjë një rezonancë për të kuptuar shkallën e dëmtimit. Sulmuesi i Juventusit pësoi një dëmtim në kofshën e djathtë dhe u zëvendësua pas 30 minutash lojë. Ankth për tifozët e Juventusit, edhe pse vetë portugezi ka dashur t’i qetësojë të gjithë, duke u shprehur: “Kthehem pas dy javësh”. Që do të thotë se do të jetë gati në kohë për ndeshjet e Championsit kundër Ajaksit.

Duke parë dinamikën e aksionit dhe pjesën e këmbës, që mjekët e Portugalisë kanë trajtuar në momentin e dëmtimit, është shumë e vështirë të bësh parashikime për kohën e rikuperimit. Ekzaminimet e specializuara bëhen pas 24 orësh. Rezistenca ndaj problemeve fizike dhe kujdesi i jashtëzakonshëm që Ronaldo tregon për trupin e tij, bëjnë që Juventusit dhe tifozët e tij të shpresojnë për një rikthim të shpejtë. CR7 e kuptoi menjëherë se kishte nevojë të zëvendësohej, për të mos rrezikuar më shumë.

Momenti, kur Ronaldo ka marrë goditjen nga mbrojtësi kundërshtari

Gjatë këtyre orëve portugezi e ka mbajtur këmbën me akull dhe pas përgjigjes së mjekëve do të saktësohet edhe koha e rikuperimit. Dëmtimi i fundit serioz i Ronaldos është ai i verës së vitit 2016, në finalen e Europianit 2016 ndaj Francës, kur la fushën pas 25 minutash. Në atë rast u kthye më 10 shtator. Këtë sezon ka munguar në tri ndeshje për shkak skualifikimi dhe pushimi të akorduar nga trajneri Alegri. Duke i besuar asaj që vetë lojtari ka thënë, i takon që do të humbë edhe tri ndeshje të tjera, konkretisht ato me Empolin, Kaliarin dhe Milanin, për të qenë gati në Champions ndaj Ajaksit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë