Ne rrjet

‘Denazifikimi’ sipas Rusisë: Do të zgjasë 25 vjet. Hiqet emri ‘Ukrainë’. Popullsia do të riedukohet!

Gazeta Si – Çfarë do të thotë Moska me ‘denazifikimin’? Jo vetëm disfatë totale në fushën e betejës së kundërshtarëve ukrainas, por edhe një “spastrim” të të mëtejshëm të të gjitha aparateve shtetërore politike dhe ushtarake, riedukim të popullsisë, “për kohëzgjatjen e të paktën një brezi” dhe anulimi total i emrit Ukrainë.

Burimi është mbi çdo dyshim, sepse “harta rrugore” shqetësuese është publikuar në faqen e agjencisë së lajmeve “Novosti”, në monitorimin e rreptë të Vladimir Putinit.

Plani shqetësues dhe brutal i “spastrimit”, rrëfehet në një artikull të gjatë të nënshkruar nga kolumnisti, Timofey Sergeytsev me titull: “Çfarë duhet të bëjë Rusia me Ukrainën”, i publikuar në të njëjtën kohë kur bota po zbulonte tmerret e masakrave mbi civilët në Bucha.

“Denazifikimi” është një kërkesë që Kremlini e konsideron të domosdoshme, edhe pse deri më tani nuk ishte shprehur asnjëherë në detaje.

“Denazifikimi është i domosdoshëm, sepse një pjesë e konsiderueshme e njerëzve – me shumë gjasa shumica – është dominuar dhe tërhequr nga regjimi nazist”, shkruan “Novosti”.

Pra, objektivi i parë është që “nazistët që rrokën armët, duhet të shkatërrohen sa më shumë në fushën e betejës”.

Duhet kujtuar se Putin në disa raste ka barazuar Zelenskijn dhe qeverinë e tij me ushtrinë e rregullt ukrainase, e cila kundërshton pushtimin rus me batalione – si Azov – të cilat i referohen një simbolizmi nazist. Të gjitha në të njëjtin kazan. Pra, “përveç liderëve, fajtorë janë edhe një pjesë e konsiderueshme e masave, të cilët janë nazistë pasivë, bashkëpunëtorë të nazizmit”.

Operacioni i spastrimit, pra, nuk duhet të jetë vetëm fizik dhe ushtarak, por duhet të përfshijë edhe sferën e kulturës dhe arsimit “që arrihet nëpërmjet shtypjes ideologjike të qëndrimeve naziste dhe censurës së ashpër: jo vetëm në atë politik, por edhe në fushën e kulturës dhe arsimit”.

Dhe për nënshkruesin e artikullit, vetëkuptohet se “denazifikimin mund ta bëjë vetëm fituesi”.

Asnjë paqeruajtës ndërkombëtar, pa OKB-në të përfshirë. Kjo është një zgjidhje e brendshme ruse. Dhe siç sqarohet pak më tej, “nuk mund të arrihet me një kompromis, mbi bazën e një formule të tillë si “NATO-jo, BE-po”.

Një objektiv i kësaj përmaseh nuk arrihet brenda natës: “Kushtet e denazifikimit nuk mund të jenë në asnjë mënyrë më pak se një brez”, pasi “nazifikimi i Ukrainës vazhdoi për më shumë se 30 vjet, të paktën duke filluar nga viti 1989”.

Çfarë do të thotë kjo? “Veçori e Ukrainës moderne të ‘nazizuar’ qëndron në amorfe dhe ambivalencë, të cilat lejojnë që nazizmi të maskohet nga një dëshirë për “pavarësi” dhe një rrugë “evropiane” (perëndimore, pro-amerikane) të “zhvillimit”.

Pra, si mund të vazhdohet më tej? “Emri ‘Ukrainë’ nuk mund të ruhet si titull i asnjë entiteti shtetëror plotësisht të ‘denazizuar’ në një territor të çliruar”, por këtu agjencia “Novosti”, lë të hapur mundësinë që të mos përfshijë të gjithë vendin, por vetëm pjesën lindore të tij si territor të çliruar.

Kjo do të thotë se do të riktheheh hija e Luftës së Ftohtë, me dy Ukraina mbi modelin dy Gjermanive.

Mbetet që “diferenca nga, për shembull, Gjeorgjia dhe vendet baltike, Ukraina, siç ka treguar historia, është e pamundur të vijojë si një shtet kombëtar dhe përpjekjet për ‘të ndërtuar’ një të tillë, “të çojnë natyrshëm në nazizëm”. Prandaj, “denazifikimi i Ukrainës është edhe de-evropianizimi i saj i pashmangshëm”.

Në kohë paqeje, “denazifikimi” duhet të vazhdojë në disa drejtime: “Likuidimi i formacioneve të armatosura naziste … formimi i organeve publike të vetëqeverisjes dhe milicive … instalimi i hapësirës ruse të informacionit… tërheqja e materialeve mësimore dhe ndalimi i programeve arsimore në të gjitha nivelet që përmbajnë udhëzime ideologjike naziste… publikimi i emrave të bashkëpunëtorëve të regjimit nazist, përfshirja e tyre në punë të detyruar për restaurimin e infrastrukturës… krijimi i organeve të përhershme të denazifikimit, për një periudhë 25-vjeçare”. Një shpëlarje truri e plotë.

Vërejtje përfundimtare: “Për të vënë në praktikë planin e ‘denazifikimit’ të Ukrainës, vetë Rusia më në fund do të duhet të ndahet nga iluzionet pro-evropiane dhe properëndimore, për të përmbushur veten si mjetin e fundit për të mbrojtur dhe ruajtur vlerat e Evropës historike”. Me pak fjalë, mesazhi nuk vlen vetëm për ukrainasit nën bomba.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë