Gazeta Si – Një gjykatë në Moskë ka dënuar politikanin dhe gazetarin disident Vladimir Kara-Murza me 25 vjet burg për tradhti, shpërndarje publike të informacionit të rremë për ushtrinë dhe kryerjen e aktiviteteve në emër të një organizate ilegale në Rusi.
I njohur si agjent i huaj në Federatën Ruse, Kara-Murza do të vuajë dënimin në një koloni penale.
“Rusia do të jetë e lirë, thuajuni të gjithëve”, – është thirrja e lëshuar nga Vladimir Kara-Murza në sallën e gjyqit, një nga kundërshtarët e fundit të mbetur në Rusi, pas leximit të dënimit që e dënon me 25 vjet burg në një institucion të sigurisë së lartë.
Menjëherë pas vendimit, qeveria britanike ka thirrur ambasadorin rus pas dënimit të Kara-Murza.
“Mungesa e angazhimit të Rusisë për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, duke përfshirë lirinë e shprehjes, është alarmante”, tha Sekretari i Jashtëm britanik, James Cleverly në një deklaratë, të raportuar nga “The Guardian”.
“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Rusisë që t’u përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare, duke përfshirë të drejtën e Vladimir Kara-Murza për kujdes adekuat shëndetësor”.
Me vendim gjykate, ai është dënuar edhe me gjobë dhe ndalim të ushtrimit të çdo veprimtarie gazetareske për shtatë vjet.
Vladimir Kara-Murza ndodhet në burg në Rusi që nga prilli i vitit 2022. Fillimisht ai u akuzua për “përhapje publike me vetëdije të informacionit të rremë”.
Sipas hetimeve, gjatë një fjalimi në Shtetet e Bashkuara, ai akuzoi forcat e armatosura ruse për përdorimin e mjeteve të ndaluara të luftës.
Më pas, ndaj tij u hapën dy çështje të tjera, të cilat u bashkuan në një dosje të vetme në tetor. Rasti i Vladimir Kara-Murza është i pari në Rusi, ku u aplikua vepra e re e tradhtisë.
Kara-Murza, i cili më parë e kishte krahasuar gjyqin e tij me një nga spastrimet e Jozef Stalinit, ka lobuar tek qeveritë dhe institucionet e huaja për të vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe qytetarëve individualë rusë për shkelje të dyshuara të të drejtave të njeriut.
“Kriminelët duhet të pendohen për atë që kanë bërë. Unë, nga ana tjetër, jam në burg për qëndrimet e mia politike. E di gjithashtu se do të vijë dita kur errësira mbi vendin tonë do të zhduket”, tha Kara-Murza.
Në një fjalim përfundimtar në gjykatë javën e kaluar, Kara-Murza mori një ton sfidues, refuzoi t’i kërkonte gjykatës ta lironte dhe mbështeti gjithçka që tha. “Unë fajësoj veten vetëm për një gjë, – tha Kara-Murza, 41 vjeç dhe me tre fëmijë. – Nuk mund t’i bindja aq sa duhet bashkatdhetarët dhe politikanët e mi në vendet demokratike për rrezikun që regjimi aktual i Kremlinit paraqet për Rusinë për botën”.
Kara-Murza, i cili ka nënshtetësi ruse dhe britanike dhe ka studiuar në Universitetin e Kembrixhit në SHBA, u arrestua në prill 2022 dhe u akuzua për përhapjen e informacionit të rremë në lidhje me ushtrinë ruse në Ukrainë.
Ai gjithashtu u akuzua më pas për “tradhti të lartë” për një sërë fjalimesh publike që ai bëri duke kritikuar politikat e Kremlinit dhe luftën në Ukrainë.
Dënimi i Kara-Murza-s, vëren “The Guardian”, është dënimi më i gjatë që i është dhënë ndonjëherë një kundërshtari politik të Vladimir Putinit, ndërsa Kremlini rrit më tej goditjen e tij ndaj disidencës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje