Politike

Denoncimi i PD: 9 ish-sigurimsa të emëruar drejtorë në SHISH

Partia Demokratike ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Rama, pasi ka kthyer në postet drejtuese oficerë të ish-Sigurimit të Shtetit.
Në një deklaratë nga selia blu, Alibeaj ka denoncuar me emra 9 ish-oficerë dhe operativë të Sigurimit të Shtetit, që me ardhjen e Helidon Bendos në krye të SHISH, janë emëruar në krye të këtij institucioni.
Rafail Milo: ish-oficer i Sigurimit të Shtetit. Nga inspektor, ai emërohet Drejtor i Departamentit të Administratës në SHISH. Ka në varësi Drejtorinë Juridike dhe atë Ekonomike.
Qerim Dedja: ish-oficer i Sigurimit të Shtetit, nga inspektor emërohet drejtor i Drejtorisë së Sigurisë.
Mevlud Matraku: ish-oficer i Sigurimit të Shtetit, punëtor operativ, kryesisht në Sarandë. Nga inspektor, është emëruar Drejtor i Performancës. Bën vlerësimin e të gjitha drejtorive të linjës informative operative.
Vladimir Elezi: ish-punëtor operativ i Sigurimit të Shtetit është emëruar Drejtor në SHISH në Elbasan.
Gëzim Bime: ish oficer i Sigurimit të Shtetit nga inspektor, emërohet Drejtor kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit (drejtori e rëndësishme në punën operative)
Ilir Tafa: ish-oficer i Sigurimit të Shtetit, emërohet Drejtor i Drejtorisë SHISH, në Durrës. Vëllai i tij është Afrim Tafa, ish-Drejtor Policie, i cili është në listat e punonjësve të policisë, i implikuar në trafikun e drogës.
Sokrat Mite: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, nga inspektor, emërohet zëvendësdrejtor i Departamentit të Kundërzbulimit.
Agim Karralli: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, nga inspektor, emërohet Drejtor i Drejtorisë SHISH Tiranë.
Rinald Serhani: ish oficer i Sigurimit të Shtetit, emërohet Drejtor në SHISH.
“Për dy emrat e parë, Autoriteti i Dosjeve ka zbuluar dokumentacion të mjaftueshëm që i bën ata të papërshtatshëm për promovimin në detyrë, ndërsa për 7 të tjerët, ka prova të qarta në dosjet e tyre personale në SHISH se kanë qenë oficerë të shërbimit sekret të diktaturës. Sot kam një pyetje për çdo qytetar shqiptar: A besoni se rendi, drejtësia, siguria mund të garantohen nga njerëz që dikur na kanë torturuar dhe na kanë masakruar, na kanë mbajtur të izoluar si në kafaz? Partia Demokratike është e bindur se shumica e shqiptarëve përgjigjen me një Jo të fortë! Sigurimi i Shtetit nuk mund të na japë as drejtësi, as rend dhe as siguri! Shërbimi më i mirë që sot mund t’i bëjmë vendit është të largojmë pa humbur kohë arkitektin e qeverisjes me Sigurimin e Shtetit”, u shpreh Alibeaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë