Ne rrjet

Deputetët rusë miratojnë ligjin kundër ‘lajmeve të rreme’ ndaj ushtrisë

Ligjvënësit rusë kanë miratuar një ligj që dënon shpërndarjen e “lajmeve të rreme” për operacionet ushtarake, në kohën e mbylljes së mediave të pavarura rreth mbulimit të luftës ruse në Ukrainë.

Projektligji, i miratuar më 4 mars, do të shtohet si artikull i veçantë në Kodin Penal, “për të parandaluar diskreditimin e forcave të armatosura të Federatës Rusë gjatë operacioneve të tyre për të mbrojtur interesat e Federatës Ruse dhe qytetarëve të saj, dhe për të ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”.

Ligji i ri parashikon dënime deri me 10 vjet burgim për individët që shpallen fajtorë për këto shkelje.

Dënimi për përhapje të lajmeve të rreme për ushtrinë ruse që çon në “pasoja serioze”, rritet në deri 15 vjet.

Me projektligj është bërë e paligjshme “që të bëhen thirrje kundër angazhimit të trupave ruse, për të mbrojtur interesat e Rusisë” apo për “diskreditim të forcës së tillë”.

Të njëjtat dënime vlejnë edhe për thirrjet që të sanksionohet Rusia.

Ky vendim vjen pasi autoritetet ruse kanë rritur presionin ndaj mediave të pavarura, duke i kërcënuar për raportimet e tyre për luftën në Ukrainë.

Rregullatori i mediave, Roskomnadzor ka urdhëruar mediat që të publikojnë vetëm informacione të ofruara nga burimet zyrtare.

Ai ndalon përshkrimin e veprimeve ruse në Ukrain si pushtim apo luftë, dhe kërkon që të cilësohen “operacione speciale ushtarake”.

Më 4 mars, Roskomnadzor, ka thënë se ka “kufizuar” qasjen në mediat e pavarura, përfshirë disa faqe të Radios Evropa e Lirë, faqet ruse të kanaleve, BCC dhe Deutsche Welle, si dhe platformat, Facebook dhe Google.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë