Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj u thirr në seancën e kësaj të enjte në interpelancë nga një grup deputetësh të opozitës parlamentare, që ngritën shqetësimin mbi nivelin e kriminalitetit në vend.
Gjatë fjalës së tij, Lleshaj hodhi poshtë pretendimet e deputetëve dhe duke cituar shifrat e vrasjeve tha se kriminaliteti në Shqipëri është në nivelin mesatar të Bashkimit Europian.
“Për këdo që di shkrim dhe këndim e ftoj që t’u referohet shifrave zyrtare, të cilat thonë se kanë rënë vrasjet në Shqipëri nga 2012 deri sot. 126 në vitin 2012, kur drejtohej nga PD-ja. Ndërsa në vitin 2019, ky numër ka qenë 57 dhe sot ky numër është 21, pra një tendencë të dukshme më të ulët me një vit më parë. Pra, konkluzioni i juaj për rritje galopante të krimit është shtrëmbërim i realitetit”, deklaroi Lleshaj.
Në emër të deputetëve që kërkuan interpelancën foli deputeti Halit Valteri. Valteri tregoi nga foltorja një video nga atentati ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoj. Ai tha se nga pamjet që ka siguruar vetë duket qartë dy autorët, ku njëri me kapele është Gledjan Llatja, i arrestuar dhe hamendësoi për mungesë vullneti nga ana e policisë për të arrestuar personin tjetër, megjithëse siç pretendoi deputeti është lehtësisht i identifikueshëm.
Lleshaj e interpretoi këtë si një shqetësim personal dhe që nuk ka lidhje me situatën e përgjithshme të kriminalitetit në vend. Ministri i Brendshëm refuzoi ta komentojë.
“E kuptova se ku ishte shqetësimi. E kuptova që ishte për një shqetësim konkret dhe jo të përgjithshëm, Unë nuk merrem me raste konkrete, nuk bëj as hetime, as nuk këqyr kamera, as marr në pyetje. Unë drejtoj Policinë e Shtetit. Përgjegjëse për hetimin është Prokuroria”, tha ai duke këshilluar deputetin Valteri që provën që ka ta dorëzojë në Prokurori.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje