Në “Fatih Terim Stadyumu” të Stambollit është luajtur mbrëmjen e së hënës “derbi i Erdoganit”, Bashakshehir-Kasimpasha. Fitoi Bashakshehiri 2-0, me gola të Viska dhe Elia. Klubi i pestë i kryeqytetit turk për nga rëndësia dhe tifozët, kryeson renditjen me 41 pikë, 6 më shumë se Gallatasaraji. Quhet “derbi i Erdoganit”, sepse Rexhep Taip Erdogan, president i Turqisë prej vitit 2014, më parë edhe kryeministër, ka në zemër si Bashakshehirin, ashtu edhe Kasimpashanë. Erdogan është tifozi numër 1 i ekipit që po kryeson renditjen në Turqi, madje ka qenë ai që ka inkurajuar ngritjen e Bashakshehirit, kurse në fëmijëri, duke qenë se është rritur në lagjen e vjetër të portit të Stambollit, presidenti turk ka bërë tifo për Kasimpasha Spor Kulubu.

Klubi i portit – Në ato mole të ngushta dikur qëndronin anijet e Sulltan Mehmetit II, një periferi popullore e Stambollit. Edhe pas shpërbërjes së marinës otomane kjo pjesë e kryeqytetit turk nuk ka mundur të rilindë. Stadiumi i Kasimpashasë i është dedikuar pikërisht presidentit Erdogan që nga mesi i viteve 2000. Presidenti turk, në fëmijërinë e tij sillej aty rrotull për të shitur limonata në rrugët e lagjes, ku mësoi edhe t’i binte edhe topit. Nuk u bë asnjëherë futbollist profesionist, edhe pse e ka pasur ëndërr. “Futbolli ishte pasioni im. Në vitin 1969, kur isha 15 vjeç, luaja për Camialti, klub gjysmë profesionist. Isha gati të shkoja te Fenerbahçe, por babai nuk donte që unë të bëhesha futbollist”, – tregon Erdogan.
Një ultras — Por dashuria për topin nuk u shua kurrë për presidentin turk. E tregojnë edhe zhvillimet politike në vend. Pjesa më e madhe e opozitarëve ndaj regjimit të presidentit Erdogan, deri tani janë vepër e tifozerive të klubeve të tjera të mëdha të Stambollit, të Gallatasarajit, Fenerbahçes dhe Beshiktashit, simpatizantë të së majtës. Në vitin 2013 ata udhëhoqën protestat kundër shkatërrimit të “Gezi Park”, që qeveria e kërkonte për një urbanizim të ri. Në atë kohë dhjetëra njerëz humbën jetën dhe pati me mijëra të arrestuar. Erdogan i motivoi të tijtë pak a shumë me këto fjalë: “Tribunat e stadiumit tonë (të Bashakshehirit) duhet të mbushen. Nëse nuk jemi të pranishëm edhe në këtë fushë, do të jemi të dobët politikisht”.

Ish-Instambul BB — Në vitin 2014, presidentit i lindi ideja të “investonte” tek Istanbul BB, klubit të lagjes së Bashakshehirit, rreth 20 km larg qendrës së kryeqytetit, në pjesën europiane. Deri atëherë, klubi i krijuar në vitin 1990, i përkiste shoqërisë komunale të ujërave në Stamboll. Por u privatizua me një vendim të qeverisë, që ndalonte komunat të financonin klubet e futbollit. Për 2.5 milionë euro klubi u ble nga një grup kompanish pranë qeverisë. President u bë Goksel Gumusdag, 46 vjeç, pjesëtar i partisë së Erdoganit dhe i martuar me mbesën e gruas së liderit turk. Në verën e vitit 2014 përfundoi stadiumi i ri, që mori emrin e Fatih Terim, ish-trajnerit të Turqisë, Milanit dhe Fiorentinës. Në ceremoninë e inaugurimit ai ishte i pranishëm, pranë Erdoganit.
Pak fansa — Por nëse eksperimenti pati sukses nga pikëpamja futbollistike, nuk ndodhi kështu në planin social. Mesatarja e spektatorëve në vitet e fundit shkon deri në 2400, që për një stadium me kapacitet 17300 vende, është shumë e ulët. Edhe tani, pavarësisht vendit të parë, mesatarja mbetet e ulët, deri në 2460 tifozë. Dhe të mendosh që Bashakshehiri ka ultrasit e tij fanatikë, një grup prej 1453 tifozësh. Janë nacionalistë të betuar, islamikë dhe ndjekës të Erdoganit. Falë ndikimit të tij, Erdogan ka bërë bashkë financimet e “Medipol”, një kompani e madhe spitalore, “Turkish Airlines”, “Vodafone”, “Deniz Bank”, “Ziirat” (tjetër kolos bankar), shoqërinë e sigurimeve “Fuzul”, si dhe kompaninë “Doga”, që merret me industrinë e rëndë. Pra, një grup kompanish të fuqishme ekonomike, që kanë lidhje me shtetin dhe që bëjnë të mundur pagesën, për shembull, të më shumë se 4 milionë eurove në vit për Arda Turan, ish-lojtar i Barcelonës dhe Atletiko Madrid, tashmë 32 vjeç dhe i huazuar nga katalanasit.

Të pasur, por të vjetër — Me një vlerë grupi që shkon afërsisht 50 milionë euro, Bashakshehiri është financiarisht klubi i 4-t në vend dhe i dyti për numrin e të huajve, plot 16, pas Rizesporit me 21 të huaj. Pagat e lojtarëve të Bashakshehirit kapin vlerën e 40 milionë eurove dhe e gjitha kjo bëhet për të dhënë një mesazh të qartë politik: suksesin e modelit Erdogan. Bashakshehir është një lagje “e përkëdhelur” e qeverisë, që pranë aeroportit, i treti në kryeqytet, të ketë impiante sportive, spitale, metro, kopsht botanik dhe pallate me pak kate për shtresën e mesme. Çdo gjë duhet të jetë pro qeverisë dhe duhet jetuar sipas modelit tradicional islamik, konservator dhe fetar: gra me burka, një vend ku ndalohen biçikletat, ndalohet shitja e alkoolit dhe veshjet ekstravagante.

Në planin sportiv, përveç atij urbanistik, është një sukses. Klubi me moshën mesatare më të lartë në kampionatin turk, i vetmi mbi 30 vjeç, ka marrë lojtarë me emër, si ish-interisti Emre Belozoglu, kapiteni 38-vjeçar, sulmuesi Emanuel Adebajor, 35 vjeç, ish-lojtar i Totenhemit, Mançester Sitit dhe Arsenalit, mbrojtësi francez Gael Klishi, braziliani Robinjo, Elia etj. Trajner është një i shtëpisë, Abdullah Avçi, 55 vjeç, ish-sulmues i Kashimpashasë dhe Istanbulsporit. Ka qenë trajner në periudhën 2006-2011 te Bashakshehiri dhe u rikthye në vitin 2014 për të bërë gjëra të mëdha. Vendi i dytë në sezonin 2016-17, pas Beshiktashit, dhe pjesëmarrje për herë të parë në paraeliminatoret e Championsit, vendi i 3-të sezonin e shkuar dhe dy finale kupe të humbura. Vëmendje i kushtohet edhe fidanishtes së klubit, ku trajneri Avçi aktivizoi i pari Çengiz Under, sot shpresë e madhe e Romës, që e bleu për 15 milionë euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje