Futboll

Derbi/ Ilir Daja ia kalon presionin Tiranës, Olsi Rama ankohet për tifozët

Derbi Partizani-Tirana, i vlefshëm për javën e 33-të të Superiores, përcakton shumë për objektivat e dy skuadrave. Nesër, në orën 19:00, në “Air Albania” ndalohet gabimi. Te Partizani, që lufton për titullin kampion, gjykojnë se presionin e derbit do ta vuajë më shumë Tirana. E ka thënë trajneri Ilir Daja në konferencë shtypi, ku këtë herë ka dalë bashkë me drejtorin Olsi Rama.

Daja, para se të fliste për derbin, ka komentuar shkurt barazimin në Korçë: “Kemi humbur dy pikë ndaj Skënderbeut, por e pamë të gjithë që loja ishte në gjysmëfushën kundërshtare. Futbolli i ka këto. Edhe nëse fitonim në Korçë, nuk do të kishte ndonjë shkëputje në krye”.

Ilir Daja, trajner i Partizanit. Gazeta Si, 12 maj 2021

Trajneri i të kuqve e pret me shumë besim sfidën me Tiranën, duke parë nivelin e lojës së Partizanit. “Kemi në anën tonë lojën dhe do vazhdojmë kështu edhe ndeshjet e fundit. Ka një bonus psikologjik fitorja në derbi. Mendoj se presioni është te kundërshtari, sepse kemi fituar 2 herë ndaj tij dhe kemi barazuar 1 herë. Pritshmëritë do jenë të mëdha dhe rivaliteti është maksimal. Jemi më lart se Tirana në përballiet direkte dhe duhet të motivohemi si në derbit e tjerë.

Nuk e besoj se është udhëkryq. Edhe të tjerët kanë përballje direkte. Nuk do jetë vendimtar derbi, por çdo ndeshje do ta kemi njësoj si derbi. Nëse marrim 3 pikët në ndeshjet tona, nuk na interesojnë rivalët. Ky kampionat ka qenë i paparashikueshëm, për vonesën dhe pandeminë. Në fund të fundit, lojtarët janë njerëz dhe i ndjejnë këto. Ndikon edhe mungesa e tifozëve, me ta lojtarët do ishin më të motivuar.

Tirana është kampione në fuqi dhe e ka nisur sezonin si pretendente. Ne, me problemet që kemi pasur, gjatë gjithë kohës kërkonim të merrnim maksimumin. Kemi ndryshuar kahet dhe nuk mendoj se presioni më i madh është te ne. Trajnerët e kanë më të lehtë motivimin, por duhet menaxhim më i mirë dhe në këtë prizëm kemi punuar me lojtarët. Loja kolektive është e mira në futboll. Ekipi bën bllok në mbrojtje dhe sulm. Ekipi me lojë më të mirë kolektive do ketë më shumë mundësi për fitore. Besojmë shumë te fitorja”, – u shpreh trajneri Daja.

Olsi Rama, drejtori i Partizanit. Gazeta Si, 12 maj 2021

Rama: Tifozët e kundërshtarëve, disavantazh për ne
Pas trajnerit foli edhe drejtori i Partizanit, Olsi Rama, i cili ka ngritur problemin e tifozëve në tribuna, duke thënë se ekipet kundërshtare nuk e kanë respektuar rregulloren. “Partizani ka një disavantazh, kur luan jashtë ka tifozë kundërshtarë, siç ka ndodhur në Laç, në Shkodër dhe në Korçë, ndërsa ne e respektojmë protokollin. Në Laç e pamë të gjithë çfarë ndodhi, ishte e turpshme. Tifozët VIP të Skënderbeut ishin gjatë gjithë pjesës së dytë mbështetës të skuadrës së tyre. Këto ndikojnë te lojtarët, pasi nuk i kanë prej një viti tifozët.

Rikthimi i tifozëve në stadiume? Janë gjëra që vendosen nga komiteti i ekspertëve. Në Shqipëri gjithçka po shkon drejt përmirësimit dhe nëse ka një ekip të interesuar për tifozët, është Partizani. Do ishte gjë e madhe për Partizanin rikthimi i tifozëve. FSHF duhet të bëjë një kërkesë, siç bëri për ndeshjen me Anglinë, që nuk mendoj se është më e rëndësishme se ndeshjet e kampionatit shqiptar. Nuk mund ta bëjë Partizani kërkesën”, – theksoi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë