Futboll

Derbi italo-nigerian në stola/ Lerda bën diplomatin, Egbo nostalgjikun

Derbi i nesërm është ndër rastet e rralla kur dy skuadrat do të drejtohen nga trajnerë të huaj: italiani Franko Lerda te Partizani dhe nigeriani Emanuel Egbo te Tirana. Në konferencat e shtypit një ditë para sfidës, të dy janë mundur të jenë sa më të kujdesshëm në deklarata, duke lënë të nënkuptohet se nuk duan ta humbin kurrsesi ndeshjen. Lerda është në pozicion shumë më komod, skuadra e tij kryeson dhe nuk rrezikon asgjë, megjithatë italiani është shafqur diplomat në deklarata, duke mos i kursyer elozhet për kundërshtarin.

Franko Lerda, trajneri italian i Partizanit. Gazeta Si, 12 dhjetor 2019

“Në derbi nuk ka skuadër favorite, lojtarët duhet të përgatiten sa më mirë për ta përballuar këtë sfidë. Partizani ka një organikë të pasur dhe nuk do të ketë probleme nga mungesat, ata që do të luajnë janë mjaft të përgatitur. Nuk dua të mendoj çfarë ndodh me Tiranën, thjesht e respektojmë kundërshtarin. Kemi analizuar humbjen me Bylisin dhe e kemi të qartë se duhet të bëjmë maksimumin që ta kalojmë me sukses sfidën e radhës. Formacioni? Nuk ndryshojmë shpesh, këtë herë jemi të detyruar nga mungesat. Për mua si trajner janë të rëndësishëm të gjithë lojtarët.

Të gjitha ndeshjet janë të vështira për t’u përgatitur, por kjo me Tiranën duhet përgatitur më shumë nga ana psikologjike, sepse pritshmëritë janë më të mëdha nga të gjithë. Luajmë në një stadium ndër më të mirët në Europë dhe besoj se do të jetë spektakël që do t’i argëtojë të gjithë. Nuk kam frikë, është një ndeshje që luhet më shumë psikologjikisht. Është në lojë çdo rezultat. Derbi është një ndeshje që duhet fituar për interesimin e madh që ka. Tirana nuk i ka humbur shanset për titullin kampion dhe besoj se do të rikthehet, shpresoj jo këtë javë. Është një ekip me potencial, ka lojtarë me kualitet. Ndryshimi në stol te kundërshtari? Ka më shumë motivim në të tilla raste. Egbon nuk e njoh, por ai ka qenë pjesë e stafit dhe i di pikat e dobëta dhe të forta ta Tiranës. Pika më e fortë e tyre është grupi”, – theksoi mes të tjerash gjatë konferencës për shtyp trajneri i Partizanit, Franko Lerda.

Emanuel Egbo, trajneri i përkohshëm i Tiranës. Gazeta Si, 12 dhjetor 2019

Më shkurt ka folur kolegu i tij te Tirana, Emanuel Egbo, të cilit i është ngarkuar detyra të drejtojë përkohësisht ekipin. Një detyrë shumë e vështirë në këtë moment, kur përpara është derbi dhe skuadra vjen nga një goditje e fortë psikologjike, pas dy humbjeve me Skënderbeun dhe Kukësin. Egbo ka përjetuar momente të arta me Tiranën si lojtar, ndaj dhe kërkon ndihmën e nostalgjisë për të motivuar të tijtë para derbit. “Në kohën time derbet fillonin 1-0 për Tiranën”, – ka theksuar ish-portieri dhe trajneri i përkohshëm i bardhebluve, Emanuel Egbo, duke rikthyer në vëmendje kohën kur bardheblutë bënin ligjin në futbollin shqiptar.

Më tej, me sinqeritet Egbo ka pohuar se Tiranës i duhet një trajner me shumë përvojë që ta nxjerrë nga situata aktuale. “Jo, nuk jam unë trajneri që duhet ta drejtojë Tiranën. Skuadrës i duhet një trajner me eksperiencë. Kam drejtuar vetëm Bylisin si trajner , gjithsesi, do të përpiqem të bëj më të mirë që Tirana të ftojë në derbi”, – u shpreh Egbo, i cili do të ketë shumë mungesa në ndeshjen e nesërme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë