Katër shqiptarë do të jenë protagonistë në finale e Kupës së Italisë, tre në fushë dhe një në tribunën VIP. Pas Lacios, që eliminoi Milanin të mërkurën në mbrëmje, është kualifikuar edhe Atalanta e Berishës dhe Gjimshitit, që ka eliminuar Fiorentinën në gjysmëfinale. Barazimi 3-3 në ndeshjen e parë e favorizonte Atalantën, një nga skuadrat më në formë të Serisë A, që fitoi në Bergamo me rezultatin 2-1.
Në këtë ndeshje, Berat Gjimshiti luajti 90 minuta, ashtu si dhe në kampionat, ndërsa portieri Etrit Berisha vazhdon të qëndrojë në stol. Mbrojtësi kuqezi ishte ndër më të mirët për Atalantën, duke e përballuar mjaft mirë sulmin e rrezikshëm të Fiorentinës me Muriel dhe Kiezën. Skuadra bergamaske është një makineri golash dhe mënyra si luan ka bërë që më të të dashurohen të gjithë italianët. Iliçiç me penallti dhe Gomez shënuan ndaj Fiorentinës, që kaloi e para në avantazh me Muriel.

Atalanta i bashkohet kështu Lacios në finalen e Kupës së Italisë, që luhet më 15 maj në stadiumin “Olimpico”. Sido që të shkojë, ekipi fitues i këtij trofeu do të ketë edhe shenjën kuqezi. E sigurt është se dy shqiptarë do të festojnë pas finales, mbetet të shihet nëse fati do t’i buzëqeshë Tares dhe Strakoshës, apo Gjimshitit dhe Berishës. Strakosha do të jetë në fushë, pasi është i pazëvendësueshëm në portën e Lacios, ndërsa në krahun tjetër shanset më të mëdha për të luajtur titullar i ka Gjimshiti, i cili ka marrë më shumë besim nga trajneri Gasperini. Në rastin më të mirë mund të shohim tre shqiptarë në fushë, ndërsa Igli Tare do ta ndjekë ndeshjen nga tribuna.
Atalanta shkon në finalen e Kupës së Italisë për herë të 4-t në historinë e saj. Para ndeshjes mes Atalantës dhe Fiorentinës ka pasur trazira në Bergamo dhe policia ka arrestuar disa tifozë të ardhur nga Firence.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje