Politike

“Dëshmitarë të SPAK”, PS bllokon dëgjesat në Komisionin Hetimor të personave që dhanë tenderat për incineratorët

Socialistët nuk lejuan marrjen e dëshmisë së anëtarëve të komisioneve të prokurimeve publike që firmosën për tenderat e incineratorëve të Fierit dhe Tiranës, që duhej të merreshin në pyetje këtë të mërkurë në Komisionin hetimor parlamentar.

Ata kundërshtuan me radhë dëshminë e tyre duke arsyetuar se nëntë personat e thirrur për të dëshmuar janë marrë si dëshmitarë nga Prokuroria e Posaçme dhe ngritën pretendimin se me marrjen e dëshmive të tyre mund të cenohej ruajtja e integritetit hetimor dhe vetë hetimi i SPAK.

Në mungesë të dakordësisë, kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku shtyu për një moment tjetër dëgjesat me Sabina Cenamerin, Florian Muçajn, Azem Shahtërin dhe Armida Aliun, pjesë e Komisionit të Prokurimit që dha tenderin për incineratorin e Fierit dhe Valbona Ballgjinit, Erion Muratajt, Sidita Temalit, Taulant Tushës dhe Namik Simixhiut që kanë firmosur për incineratorin e Tiranës.

Socialistët kërkuan që të sqarohej nga një ekspert konstitucionalist nëse mund të vazhdonin me marrjen e dëshmive të anëtarëve të komisionit të prokurimit që dhanë tenderin për impiantin e Fierit, të cilët janë gjithashtu dëshmitarë në hetimin e nisur nga SPAK.

“Duhet të jemi të qartë nëse jemi në shkelje të ligjit, apo Kushtetutës dhe të marrim një ekspert të pavarur konstitucionalist që të na sqarojë këtë çështje”, tha deputeti Eduard Shalsi.

Kryetarja e Komisionit tha se asnjë ligj nuk po shkelet me marrjen e tyre në pyetje dhe solli si shembull komisionin hetimor parlamentar të ngritur për 21 janarin.

“Ky Kuvend ka një tjetër eksperiencë të ngjashme. Sepse ku ju dëgjoj që nuk ka ndodhur kurrë në 30 vite, çuditem. Ka ndodhur me komisionin hetimor për 21 Janarin ku ka qenë opozita dhe mazhoranca. Ka ardhur të dëshmojë kushdo që ka shkuar përpara prokurorisë, ka ardhur dhe në prokurori. Në qoftë se do të bëhesh palë me ato që duan ta dështojnë këtë komision hetimor, mua më vjen keq por nuk bëhem dot palë. I kërkoj stafit të Kuvendit të na nxjerrin dosjen hetimore të 21 Janarit si është proceduar me personat që kanë qenë në hetim, të paditur, dëshmitarë. Nuk ka asnjë pengesë ligjore për dëshmitarët që të vijnë këtu dhe të flasin”, u përgjigj Jorida Tabaku.

Mbledhja u ndërpre përkohësisht pas përplasjes mes dy palëve, ku socialistët këmbëngulën se kërkonin që të zbatohej ligji dhe kushtetuta dhe nuk po mbronin incineratorët, ndërsa demokratët i akuzuan se po bëheshin mburojë e kësaj afere korruptive.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë