Ne rrjet

Dështoi të parashikonte agresionin rus në Ukrainë, Franca shkarkon kreun e inteligjencës ushtarake

Ndaj kreut i inteligjencës ushtarake franceze, gjeneralit Eric Vidaud kanë nisur procedurat e shkarkimi, pasi dështoi të parashikojë luftën e Rusisë në Ukrainë.

Shtatë muaj pasi ai mori rolin, një raport tha se Vidaud u fajësua për “informacione të pamjaftueshme” dhe “mangësi në përditësimin e prioriteteve për agjencinë që drejton”.

SHBA vlerësoi saktë se Rusia po planifikonte një pushtim në shkallë të gjerë, ndërsa Franca arriti në përfundimin se nuk kishte gjasa për një pushtim të tillë. Gjenerali Vidaud u fajësua për këtë nga shefi ushtarak i Francës, tha një burim për mediat franceze.

Megjithatë, burimi ushtarak i tha agjencisë së lajmeve AFP se detyra e tij ishte të siguronte “inteligjencë ushtarake mbi operacionet, jo mbi bazën e hamendësimeve”. Shërbimi i gjeneralit Vidaud arriti në përfundimin se Rusia kishte mjetet për të pushtuar Ukrainën, megjithëse nuk parashikoi që kjo do të ndodhte realisht.

Në fillim të marsit, kreu i forcave të armatosura franceze, gjenerali Thierry Burkhard pranoi se inteligjenca franceze nuk kishte qenë në nivelin e njoftimeve të SHBA-së, apo Britanisë së Madhe, të cilat publikuan informacionet e grumbulluara si formë presioni ndaj Vladimir Putinit. “Amerikanët thanë se rusët do të sulmonin, kishin të drejtë”, tha ai për gazetën Le Monde.

“Shërbimet tona menduan në vend se kostoja e pushtimit të Ukrainës do të kishte qenë monstruoze dhe rusët kishin mundësi të tjera për të rrëzuar qeverinë e Volodymyr Zelensky të Ukrainës”, shtoi ai.

Keqleximi i Presidentit Putin nga Franca ishte edhe më i turpshëm, sepse Presidenti Emmanuel Macron kishte folur rregullisht me presidentin rus në ditët para pushtimit më 24 shkurt.

Specialisti i inteligjencës Prof Alexandre Papaemmanuel i tha AFP se ishte shumë e lehtë të fajësohej inteligjenca ushtarake për dështimin, i cili qëndronte në të gjithë komunitetin e inteligjencës franceze.

Por, gjenerali Vidaud, ish-komandanti i forcave speciale të Francës, duket se është shkarkuar edhe për arsye të tjera.

Javë pasi mori përgjegjësinë për inteligjencën ushtarake, shërbimi i tij u kritikua kur Australia anuloi një kontratë shumë miliardë dollarëshe për nëndetëset me Francën në favor të një pakti sigurie me SHBA-në dhe Britaninë e Madhe. Pakti Aukus shkaktoi një përplasje të fortë diplomatike mes Parisit dhe Uashingtonit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë