Kampionati shqiptar në optikën e një futbollisti të spikatur të viteve 2000. Paulin Dhëmbi, kampion me Dinamon dhe nënkampion me Partizanin, nga Amerika jep mendimet e tij për Gazeta “Si” për nivelin e futbollist shqiptar me një gjykim të fohtë. Ish-mesfushori korçar, cili ka veshur edhe fanellën e Skënderbeut, Vllaznisë dhe Besës, së pari pohon se titulli i Tiranës është plotësisht i merituar.
Dhëmbi e konsideron të gabuar largimin e Skënder Gegës nga stoli i Partizanit dhe “djeg” trajnerët e huaj, ndërsa rrënimin e Dinamos e quan një nga turpet më të mëdha të futbollit shqiptar. Ja dhe intervista e plotë e Paulin Dhëmbit për Gazeta “Si”:

Me çfarë merret aktualisht Paulin Dhëmbi?
Aktualisht jetoj në USA, ku si kudo, pandemia ka paralizuar gjithçka, megjithëse këto ditë masat janë zbutur edhe këtu.
A e keni ndjekur kampionatin shqiptar, si ju duket niveli i tij?
Do të thosha që e kam ndjekur kampionatin pjesërisht. Deri në dhjetor gara ishte shumë e hapur, kurse tani ka marrë drejtim. Niveli më duket i kënaqshëm, por fatkeqësisht mungesa e tifozëve e zbeh bukurinë e ndeshjeve të futbollit.
Tirana po kthehet te titulli pas shumë vitesh të vështira dhe luhatjesh të mëdha, deri në rënie në Kategorinë e Parë…
Tirana e meriton plotësisht titullin kampion, sepse ka qenë ekipi më stabël në këtë kampionat dhe me organikë më të pasur lojtarësh. Besoj se ky titull do t’i shërbejë Tiranës që të jetë vazhdimisht ndër pretendentet reale për titull në vitet në vijim.

Partizani, ish-ekipi juaj dhe kampion në fuqi, e dorëzoi titullin shumë shpejt. Pse ky zhgënjim i madh në sezonin direkt pas titullit?
Nuk e kam shumë të qartë se çfarë po ndodh me ekipin kampion, por besoj se largimi i trajnerit Skënder Gega ishte një lëvizje shumë e gabuar te Partizani. Më pas shumë gjëra shkuan keq dhe mendoj se mendjelehtësia e klubit çoi në këtë situatë. Mbase nxjerrin edhe mësime nga ky sezon i dështuar.
Prej kohësh ky klub insiston te trajnerët e huaj, edhe pse ka pasur vetëm zhgënjime deri tani. Çfarë nuk shkon me të huajt?
Mendoj se shumica e trajnerëve të huaj kanë dështuar në Shqipëri, jo vetëm te Partizani. Për sa u përket italianëve, që janë ndërruar shpesh te të kuqtë, më shumë e kanë përdorur klubin për interesat e tyre personale (financiare ose cv) se sa kanë kontribuuar për atë klub. Besoj se janë zgjedhje të gabuara të drejtuesve.

Një tjetër ekip juaji, Dinamo, me të cilën jeni shpallur kampion, po vuan në kategoritë inferiore…
Një tjetër turp i futbollit shqiptar këto vitet e fundit është katandisja e Dinamos në këto situata.
Përveç Dinamos, edhe shumë emra të mëdhenj të futbollit shqiptar nuk po e gjejnë dot veten. Flasim për skuadra si Elbasani, Besa, Vllaznia, Lushnja, Apolonia dhe së fundi edhe Flamurtari, që ra nga Superiorja. Ku qëndron problemi që tradita po zbehet?
Mbase nuk jam dhe aq kompetent për këtë çështje, por mendoj se situata e vështirë e gjithë këtyre ekipeve të traditës të futbollit shqiptar vjen nga mungesa e një ligji për sportin. Shteti nuk përpiqet fare për rregullimin e kuadrit ligjor, që besoj se do ta stabilizonte situatën e futbollit.
Shumë ish-shokë skuadre me ju, si Bledi Shkëmbi, Julian Ahmataj, Bledar Devolli, Orges Shehi etj., kanë nisur karrierën e trajnerit dhe po drejtojnë në Superiore. Si ju duket ky fakt?
Më vjen mirë që këta miq të mi po spikatin edhe në rolin e trajnerit. Jam i bindur se kanë për t’i dhënë goxha futbollit shqiptar edhe në këtë rol. Deri tani të gjithë kanë bërë një punë të lavdërueshme aty ku kanë punuar.
Skënderbeu, ekipit i qytetit tuaj, po qëndron në nivel të lartë, edhe pse ka një dënim 10-vjeçar nga UEFA…
Ishte i ekagjeruar ai dënim për Skënderbeun dhe besoj se do të reduktohet. Puna e mirë e drejtuesve të klubit dhe kryesisht e trajnerit Ilir Daja, besoj po e mban Skënderbeun në këto nivele. Jam i bindur që është ekipi për t’u marrë shembull.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje