Futboll

Dhuna e Fushë-Krujës, Nurishmi: Rast i veçantë, vendos Disiplina!

Java e 20-të e Superiores riktheu problematikat e zakonshme të futbollit shqiptar, dhunën në stadiume dhe kontestimet ndaj gjykimit. Por vëmendjen kryesore e mori ngjarja e Fushë-Krujës, ku ditën e shtunë, para ndeshjes Kastrioti-Skënderbeu, tre futbollistë të ekipit korçar, Kristi Vangjeli, Oto Xhon dhe Idriz Toskiç, u goditën nga rreth 25 persona në stadium. Asnjë reagim nga policia dhe më pas asnjë reagim nga FSHF-ja për atë incident të turpshëm. Klubi korçar mbajti qëndrim të qartë: zbardhje e ngjarjes, ose rishikimi i vazhdimit të garës!

Gazeta “Si” ka kontaktuar për këtë ngjarje shefin e sektorit të garave në FSHF, Lysien Nurishmi, i cili sqaron se ngjarja nuk është anashkaluar, por gjithçka është në dorë të Komisionit të Disiplinës: “Ajo që ndodhi në Fushë-Krujë do të shqyrtohet nga Komisioni i Disiplinës. Është një rast pak i veçantë, sepse nuk ka ndodhur më parë. Ka ndodhur që ka pasur dhunë ndaj arbitrave, ndoshta pas ndeshjes, por jo ndaj lojtarëve. Siguria? Ai stadium është i tillë, plotëson kushtet minimale për zhvillimin e ndeshjeve të Superiores. FSHF-ja nuk ka reaguar për ngjarjen, sepse do të kishte paragjykime. Janë organet kompetente të FSHF-së ato që merren me këtë çështje. Pra, presim të shprehet nesër Komisioni i Disiplinës par atë ngjarje dhe për gjithçka ka ndodhur javën e fundit në Superiore. Nuk mund të them se çfarë vendimi mund të merret, sepse do të ishte paragjykim”, – tha zyrtari i FSHF-së, Nurishmi.

Lysien Nurishmi, shefi i sektorit të garave në FSHF

Me interes pritet edhe vendimi që do të marrë Komisioni i Disiplinës për ndeshjen e Vlorës, Flamurtari-Kukësi, ku pati kore fyese ndaj arbitrave. Këta të fundit, me vendimet e tyre, veçanërisht me anulimin e golit të Pollozhanit, sollën irritim në shkallët e stadiumit “Flamurtari”. Kampionati po hyn gradualisht në një fazë, ku llogaritë e pikëve bëhen më mirë dhe incidentet në stadiume parashikohet të jenë më të shpeshtë se në gjysmën e parë të sezonit. Humbjet, apo edhe barazimet tani bëhen shumë më të vështirë për t’u pranuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë