Futboll

Dhunë e paprecedentë në ndeshjet e moshave, FSHF i bën thirrje sistemit gjyqësor

Fusha e blertë e futbollit u pushtua sot sërish nga dhuna. Një sherr masiv ka ndodhur mes futbollistëve të skuadrave të 19-vjeçarëve të Football Rupublic dhe Teutës, në fundin e ndeshjes. Një shkëndijë mes dy lojtarëve në kohën shtesë, kur rezultati u barazua 2-2, është bërë shkak që fusha e futbollit të kthehet në fushë beteje.

Tapeti i blertë është mbushur nga prindërit e lojtarëve, të cilët, në vend të shuanin sherrin, janë bërë vetë protagonistë të tij, duke goditur njëri-tjetrin. Pamje vërtet të frikshme, që ngrejnë shumë pikëpyetje, sepse nuk është hera e parë që ka dhunë në ndeshjet e fëmijëve. Kush mban përgjegjësi? Organizatorët e ndeshjes, Policia e Shtetit dhe organet që japin dënimet në raste të tilla.

Me shpejtësi ka reaguar FSHF-ja në lidhje me këtë nagjarje dhe ndryshe nga rastet e tjera, pasi ka një thirrje jo vetëm për policinë, por edhe për sistemin gjyqësor. “Federata Shqiptare e Futbollit dënon ashpërsisht dhunën e ndodhur në ndeshjen Football Republic-Teuta, e vlefshme për Grupin B të Kategorisë Superiore U-19. FSHF i bën thirrje Policisë së Shtetit të marrë urgjentisht masat për të arrestuar autorët e ngjarjes dhe kërkon nxjerrjen e tyre para gjykatës, bazuar në Kodin e ri Penal.

Në shume raste Policia e Shtetit nuk ka vepruar në kohë dhe autorët e ngjarjeve të mëparshme ndodhen ende të lirë. Një thirrje shkon dhe për sistemin gjyqësor në Shqipëri, që duhet të zbatojë me rigorozitet Kodin Penal, i cili ruan shenjtërinë e fushës së blertë. FSHF nuk do të lejojë në asnjë çast nëpërkëmbjen e lojës më të dashur të shqiptarëve nga sjelljet e turpshme të disa prindërve dhe autoriteve që nuk reagojnë në kohë”, – shkruhet në reagimin zyrtar të FSHF-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë