Lajme

Dhunohen dy mjekë në krye të detyrës, në Tiranë e Lezhë

Një mjek në Lezhë është rrahur barbarisht mesditën e sotme. Bëhet fjalë për mjekun dermatolog Zef Doda, i cili është goditur nga i afërmi i një pacienti.
Nga goditjet ka marrë edhe dëmtime të shumta në trup.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur brenda ambienteve të këtij spitalit të Lezhës, ndërsa pasi ka marrë mjekim në këtë spital, u nis drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, për shkak të dëmtimeve të shumta.
Doda, thonë mjekët e këtij spitali ka fraktura në kokë, ndërsa si pasojë e goditjeve ka të thyer dhe nofullën.

Po ashtu në Tiranë raportohet të jetë dhunuar në Urgjencën Kirurgjikale në QSUT mjekja specializante V. Zyka. Rasti i mjekes së QSUT-së ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, ndërsa është raportuar sot.
Ministria e Shëndetësisë në një njoftim zyrtar dënon dhunën e ushtruar ndaj mjekëve. Sipas ministrisë, këto janë veprime të patolerueshme dhe agresoret duhet të dënohen nga organet e drejtësisë.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dënon me forcë aktin barbar të dhunës ndaj mjekes specializante V. Z në klinikën e parë të kirurgjisë në QSUT dhe mjekut Z. D, i cili u dhunua fizikisht mesditën e sotme në ambientet e spitalit rajonal Lezhë.
Ndaj Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duke e denoncuar këtë akt, kërkon nga organet e drejtësisë të reagojnë menjëherë me dënimin e merituar për agresorët e mjekut dhe kërkon sensibilizimin dhe mbështetjen e shoqërisë për bluzat e bardha në krye të detyrës, në shërbim të popullatës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Po ashtu, ministria ka propozuar ndryshimet në kodin penal, që veprime të tilla të vendosen si vepra penale.
“Ministria e Shëndetësisë ka propozuar ndryshimet në kodin penal për të vendosur ekskluzivisht goditjen dhe kanosjen për shkak të detyrës si vepër penale, paralelisht me vendosjen e një regjimi të ri në spitale, për disiplinimin e vizitave të familjarëve dhe riorganizimin e sigurisë në spitale”, thuhet më tej në njoftim.

Ndërkohë, ish-deputeti Tritan Shehu e cilëson rastin e Lezhës si të pataloerueshëm, një krim të vërtetë.

“Një ngjarje e shëmtuar dhune e agresioni ndaj mjekëve ka ndodhur aktualisht ne spitalin e Lezhës.
Është agresuar mjeku dermatolog në ambientet e spitalit, gjatë ushtrimit të detyrës së tij.
E patolerueshme kjo, krim i vërtetë”, shkruan Shehu në “Facebook”.
Këtë ngjarje të shëmtuar, Shehu e lidh me keqqeverisjen, e cila ka shkatërruar edhe sistemin shëndetësor.
“Mjekët e personeli ynë shëndetësor në kushte shumë të vështira pune, privime të mëdha teknike e logjistike, pagesa qesharake, po përpiqen të bëjnë më të mirën e mundshme në këtë realitet ku është katandisur nga Rilindja, shëndetësia jonë”, vijon më tej postimi i Shehut.

https://www.facebook.com/tritan.shehu.9/posts/2331017040468614

Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë