Politike

Dialogu Prishtinë-Beograd, Palmer tregon kryemisionin për mediat serbe

Intervistën e parë si përfaqësues i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer e dha për një media serbe. “Tanjug” publikoi intervistën me zyrtarin e lartë të Departamentit të Shtetit të SHBA, në të cilën Palmer e bën të qartë misionin e tij kryesor në detyrën e re.

“Objektivi im i parë është rikthimi në tryezën e dialogut të Kosovës dhe Serbisë”, thotë ai.

Palmer i njeh vështirësitë që ka përpara në përmbushjen e këtij misioni, siç janë zgjedhjet e parakohëshme të 6 tetorit në Kosovë dhe zgjedhjet e pranverës në Serbi, por ai shprehet optimist se mund t’ja dalë mbanë.

Ulja në tryezë e Prishtinës dhe Beogradit është objektivi i parë. Objektiv final përfaqësuesi i posaçëm i SHBA për rajonin tonë ka një tjetër.

“Besoj se mund të arrijmë një marrëveshje normalizimi marrëdhëniesh mes dy vendeve. Në këtë proces ka disa sfida, e para që sa më parë të rinisin bisedimet, ndërsa e dyta që të gjenden pikat e përbashkëta, si bazë e bisedimeve”, thotë ai.

Palmer shpreson se qeveria e Kosovës që do të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit do të heqë taksat për mallrat serbe, ndërsa nga Serbia ndalimin e përpjekjeve që minojnë njohjen dhe anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtare.

Misioni i Palmer duket se do të dublojë misionin e Bashkimit Europian, që po fajësohet si në Beograd, ashtu edhe në Prishtinë për paaftësi në ndërmjetësimin e dialogut mes dy vendeve. Në intervistën e dhënë për Tanjug, Palmer nuk e sheh këtë si rivalitet mes Uashingtonit dhe Brukselit, por si një mision të përbashkët dhe një dorë shtesë që rajoni të lërë pas problematikat e së shkuarës dhe të integrohet në BE.

“Kam pranuar këtë detyrë pasi besoj se mund të arrij marrëveshjen për normalizimin raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës, që do të transformojë të gjithë Ballkanin, do të hapte rrugën europiane për Serbinë dhe Kosovën dhe do të ishte pozitive për rajonin, Europën dhe ShBA”, thotë Palmer.

Përfshirjen shtesë të Uashingtonit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë e ka kërkuar me ngulm Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërkohë që emërimi i Mattheë Palmer praktikisht si ndërmjetësues në këtë dialog është përshëndetur edhe nga Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

“Palmer është një njeri i përgjegjshëm, serioz dhe i zellshëm. Më duket qesharake dhe marrëzi kur thonë se ai është dhëndër serb, andaj do të mbajë anën tonë. Ai do të mbrojë interesat e SHBA, ndaj përpara nuk kemi detyra të lehta”, thotë Vucic.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë