Futboll

Disiplina dënon Partizanin 2 ndeshje pa tifozë, gjoba për të tjerët

Pritej dënimi i Partizanit pas ngjarjeve të ndeshjes me Flamurtarin dhe Komisioni i Disiplinës e ka dhënë që sot, një ditë më parë se zakonisht. Dy ndeshje pa tifozë është dënimi i dhënë nga ky komision për ekipin e Partizanit, për shkak të dhunës ndaj zyrtarit të Flamurtarit në ndeshjen me këtë të fundit. Në fundin e pjesës së parë, disa tifozë të Partizanit hynë brenda rrethimit të fushës dhe sulmuan fizikisht zyrtarin e ekipit mik, që po fotografonte lojtarët e Flamurtarit teksa festonin golin.

Partizani, që kryeson renditjen dhe është kandidati kryesor për titullin kampion, do të luajë pa tifozë dy ndeshjet e radhës në shtëpi, ato me Teutën dhe Luftëtarin. Një minus ky për klubin e kuq, që me siguri do të ketë një reagim pas këtij dënimi. Duhet theksuar se kohët e fundit ka pasur dhunë edhe në stadiume të tjera, në ndonjë rast është goditur edhe zyrtari i ndeshjes, si për shembull te Kukësi-Laçi, por Disiplina është mjaftuar me gjobë. Partizani ka marrë edhe një gjobë prej 200 mijë lekësh, përveç dënimit me dy ndeshje pa tifozë.

Zyrtari i Flamurtarit, Shkëlqim Ramaj, dhunohet nga tifozët e Partizanit

Dënime për shkak të sjelljes së gabuar të tifozëve kanë marrë edhe klube të tjerë të Superiores, por me gjoba. Luftëtari, Skënderbeu dhe Tirana janë tre klubet e gjobitur, ndërsa Kastrioti vetëm është paralajmëruar. Gjobën më të rëndë e ka marrë Tirana, 400 mijë lekë, pasi e ka rast të përsëritur. Disiplina është treguar e ashpër edhe me Luftëtarin, duke e gjobitur dhe duke i dënuar me 4 ndeshje pezullim një nga titullarët kryesorë, Albano Aleksin.

Vendimi i Komisionit të Disiplinës:

  1. KF “Luftëtari”, për sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të Nenit 66/1 të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqindmijë) Lekë .
  2. Lojtari i KF “Luftëtari”, Albano Aleksi, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 49/1/a të KDS, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
  3. KF “Skënderbeu”, për sjellje të gabuar të spektatorëve, në bazë të Nenit 66/1 të KDS, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqindmijë) Lekë.
  4. KF “Tirana”, për sjellje të gabuar të spektatorëve , në bazë të Nenit 66/1 të KDS, për shkak të përsëritjes së shkeljes, dënohet me gjobë në masën 400.000 (katërqindmijë) Lekë.
  5. FK “Partizani”, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive për organizimin e ndeshjes kundër “Flamurtari” FC duke mos garantuar sigurinë e zyrtarit të ekipit kundërshtar, në bazë të Nenit 64/b)/c)/e); 65/1 dhe 65/2 të KDS, dënohet me zhvillimin e 2 (dy) ndeshjeve pa spektatorë në stadiumin përkatës si dhe gjobë në masën 200.000 (dyqindmijë) Lekë.
  6. KS “Kastrioti”, në bazë të Nenit 13 të KDS, paralajmerohet se në rast përsëritje të shkeljeve disiplinore, do të jetë subjekt i ndëshkimeve qe parashikon Kodi i Disiplinës Sportive dhe rregulloret e tjera të FSHF.

Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë