Komisioni i Disiplinës ka dhënë një dënim të veçantë këtë herë. Ky komision duket se ka hequr dorë nga dënimet kolektive dhe ka dënuar me dy ndeshje pezullim tifo-grupin e njohur të Tiranës, “Tirona Fanatics”. Shkak është bërë parulla kundër presidentit Refik Halili që ky grupim shpalosi në stadiumin e Shijakut, ku u luajt ndeshja me Teutën. Një parullë që pengoi nisjen e ndeshjes dhe në momentin që policia e hoqi, tifozët e këtij grupimi lanë stadiumin.
Tani kanë marrë edhe një dënim nga Komisioni i Disiplinës, që i ka kërkuar klubit bardheblu ta ekzekutojë, duke bllokuar sektorin përkatës të tifozëve në ndeshjen e së martës me Kukësin dhe në ndeshjen e radhës. Një vendim që pritet të shkaktojë zemërim te “Tirona Fanatics” dhe me siguri para ndeshjes së sotme ata do të reagojnë sipas mënyrës së tyre. Disa orë më parë, në faqen zyrtare në Facebook të këtij grupimi, ishte shkruar: “Nesër, ora 18:00, shihemi në “Selman Stërmasi”. Ne do të jemi aty si gjithmonë, për fjalën tonë. Largohuni përjetësisht nga Tirana”. Paralajmërimi ishte dhënë, por tani që këtyre tifozëve u mohohet futja në stadium, situata mund të shkojë edhe më keq. Përveç shumë problemeve që ka, Tirana tashmë ka një çështje shumë të rrezikshme për të zgjidhur, atë të tifozëve. Konflikti i tyre më presidentin Halili është i hershëm, por tani tifozët kanë dalë edhe kundër lojtarëve.

Komisioni i Disiplinës ka dënuar Kukësin me gjobë për sjelljen e gabuar të tifozëve në ndeshjen me Flamurtarin, por edhe zyrtarin e Kamzës, Andi Matraxhiu, me 10 ndeshje, për sjellje të gabuar ndaj zyrtarëve të ndeshjes.
Vendimet e Disiplinës
FK “Kukësi”, për sjellje të gabuar të tifozerisë së tij, duke hedhur sende brenda rrethimit të fushës, në bazë të Nenit 66/1 të KDS, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetëmijë) Lek.
2. Grupimi i Tifozëve të KF Tirana, “Tirona Fanatics” për sjellje të gabuar, duke paraqitur parulla ofenduese, në bazë të nenit 21 dhe 66/3 të KDS-së përjashtohet nga pjesëmarrja per 2 (dy) ndeshje të njëpasnjëshme në sektorëët përkates te stadiumeve; Urdhërohet KF Tirana të ekzekutojë vendimin, duke mbyllur sektorët përkatës.
3. Zyrtari i FK “Kamza”, Andi Matraxhiu, për sjelle të gabuar ndaj zyrtareve të ndeshjes, në bazë të Nenit 49/2/a të KDS-së, dënohet 10 (dhjetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në bazë të Nenit 21 të KDS-së, zyrtarit i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes, qëndrimi në stolin e rezervave dhe territori përreth fushës së lojës.
4. Zyrtari i KF “Turbina”, Engjëll Belshi, për protesta ndaj vendimeve të zyrtarit të ndeshjes, në bazë të Nenit 56/1/a të KDS-së, dënohet me 2(dy) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje