Komunitet

Dita e Ujit të Bekuar/ Në Korçë anulohet ceremonia, në Berat vijon tradita

6 Janari simbolizon ditën e “Ujit të Bekuar”, ku besimtarët ortodoksë mblidhen për të festuar dhe sipas traditës të rinjtë garojnë për të kapur kryqin që hidhet në ujë.

Por këtë vit për shkak të pandemisë tradita shekullore e hedhjes së kryqit në ujë dhe kapja e tij nga besimtarët për të marrë bekimin për këtë vit do të mungojë në qytetin e Korçës.

Shmangia e grumbullimeve ka bërë që kjo traditë të anulohet për këtë vit në Korçë, ndërsa mesha e ujit të bekuar për besimtarët u zhvillua në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Korçë në orët e para të mëngjesit, ku ishin të pranishëm disa besimtarë.

Pasi marrin ujin e bekuar në kishë sipas traditës besimtarët spërkatin pragjet e shtëpisë duke uruar bekime dhe mbarësi.

Por pandemia nuk ka penguar këtë traditë në qytetin e Beratit, ku me dhjetëra besimtarë kanë sfiduar dhe të ftohtin dhe janë mbledhur për të bekuar qytetin me ujë si dhe të zhvillohet ceremonia e hedhjes së kryqit.

Zanafilla

Në moshën 30-vjeçare, Krishti, Biri dhe Fjala e Perëndisë, u shfaq mbi ujërat e lumit Jordan, që të pagëzohet nga Joani Pararendësi dhe Pagëzor. Dhe Jezusi, sapo u pagëzua, qiejtë u hapën, dhe një zë nga qielli tha: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur”, shkruhet në ungjill. Dhe këtu e ka zanafillën besimi se uji i bekuar është mjet pastrimi i shpirtit të mëkatarit ndaj dhe çdo datë 6 janar besimtarët ortodoksë bëhen pjesë e ritualit të Ditës së Ujit të Bekuar. Në këtë ditë të shenjtë, uji bëhet ikona e hirit të padukshëm të Perëndisë, që me anë të ujit dhe të Shpirtit i rilind, i pastron, i shenjtëron dhe i ndriçon njerëzit besimtarë në Krishtin.

Rituali kishtar

Shërbesat e Epifanisë janë renditur njësoj si ato të Krishtlindjes, ndonëse historikisht është e sigurt se ato të Krishtlindjes imituan ato të Epifanisë, meqenëse u themeluan më vonë. Përsëri kemi Orët Mbretërore dhe Meshën e Shën Vasilit, të kremtuar së bashku me Mbrëmësoren në vigjiljen e festës. Profecitë e Epifanisë përsërisin Perëndia është me ne nga Isaia dhe theksojnë parashikimin e ardhjes së Mesias, si edhe të pararendësit të tij Joan Pagëzorit: Zëri i njërit që bërtet në shkretëtirë: Përgatisni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij! Çdo luginë të jetë e mbushur dhe çdo mal e kodër të jetë sheshuar; të shtrëmbërat të drejtohen dhe rrugët e ashpra të sheshohen dhe çdo mish të shohë shpëtimin e Perëndisë (Isaia 40:3-5; Lluka 3:4-6).

Tradita

Disa njerëz mendojnë se bekimi i ujit dhe praktika e pirjes dhe spërkatjes me të është një “paganizëm”, i cili ka hyrë gabimisht në Kishën e Krishterë. Por, ky ritual praktikohej nga Populli i Perëndisë në Dhiatën e Vjetër dhe se në Kishën e Krishterë ka një kuptim shumë të rëndësishëm dhe të veçantë. Të krishterët besojnë se qysh kur Biri i Perëndisë mori mish njerëzor dhe u zhyt në ujërat e Jordanit, e tërë materia u shenjtërua dhe u pastrua në atë, u la prej cilësive të saj që kishin të bënin me vdekjen, të trashëguara nga i ligu dhe nga dobësia e ligësia e njerëzve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë