Politike

Ditmir Bushati nis ‘fushatën’ online, çfarë po synon ish-ministri i Jashtëm?

Gazeta Si – Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati po nis një ballafaqim të ri me popullin “online”, duke krijuar një hapësire të re komunikimi.

Public Square (Sheshi Publik), është hapsira virtuale, për të komunikuar me qytetarët që Bushati ka lançuar së fundmi. Ai shprehet se në këtë hapsirë do të komunikohet nëpërmjet rrjeteve sociale dhe do të diskutohet për çështje me interes të lartë publik që meritojnë vëmendje të posaçme.

Çështja e parë, është ajo që ka më për zemër dhe që  e njeh mirë ajo e integrimit europian. Në këtë konteskt ai nuk i fsheh kritikat sa i përket vonesave për anëtarësimin të Shqipërisë, duke kërkuar që duhet të realizohet reformat.

Për ish-ministrin e Jashtëm, megjithëse nisja e bisedimeve është një moment i gëzueshëm për të gjithë shqiptarët dhe kurorëzim i përpjekjeve të mijëra kontributorëve, paradoksalisht ndjehet njëfare apatie dhe lodhje nga ky proces. Më tej ai e krahason rrugën e Shqipërisë drejt BE-së me një rrugë të thepisur.

Sipas Bushatit, “zgjedhja para nesh është e qartë: reformim dhe anëtarësim në BE, që do të thotë mirëqënie, ose zvarritje dhe pranimi i tranzicionit si një gjendje e përhershme”.

“Sot do të flasim për atë që duhet të ishtë ngjarja më e rëndësishme e vitit jo vetëm me fjalë, por me veprime konkrete”, thotë Bushati.

Ditmir Bushati ishte një nga figurat më të rëndësishme të PS-së, që nga viti 2013. Ai pati edhe përplasje me kryeministrin Edi Rama, që i kushtoi lënien jashtë zgjedhjes si deputet në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Ai gjithashtu ishte edhe “molla e sherrit” mes Ramës dhe Metës sa i përket dekretimit të Gent Cakajt në postin e ministrit të Jashtëm.

Ndërsa Rama asaj kohe do të shprehej se Bushati kishte zbritur nga vagonat e trenit socialist. Por pas disa muajsh “Rehabilitim” Bushati u përfshi në strukturat socialiste, duke qenë anëtar i Kryesisë së PS-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë