Futboll

Djali i legjendës rumune intrigon Igli Taren, shqiptari nis ofensivën

Një mbiemër i njohur për Lacion. Klubi italian po lëviz për blerjen e sulmuesit Ianis Haxhi, djali i George Haxhit, legjendës së futbollit rumun, talentit më të madh të të gjitha kohërave të këtij vendi në vitet ’80-90 me fanellat e Steauas së Bukureshtit, Real Madrid, Barcelonës dhe Gallatasarajit.

Ianis është 21 vjeç dhe luan për Gllasgou Rejnxhërs, bashkë me Florian Kamberin, sulmuesin e Shqipërisë. Ndryshe nga babai i tij, i cili ka qenë një trekuartist puro, është një lojtar më sulmues, edhe pse edhe ai mund të aktivizohet pas dy sulmuesve. Haxhi jr u bë pjesë e Fiorentinës pa mbushur 18 vjeç, ndoshta shumë shpejt, ndaj dhe aventura e tij në Itali u mbyll pas një viti e gjysmë. U kthye te Vitorul Kostanca, skuadra ku u rrit, ndërsa këtë vit kaloi te Genku në Belgjikë. Me këtë skuadër luajti gjysmën e parë të sezonit, pasi në të dytën u huazua te Gllasgou Rejnxhërs.

Igli Tare dhe trajneri Simone Inzagi. Gazeta Si, 6 prill 2020

Tani mund të kthehet në Itali, sepse Igli Tare e ka vënë në shënjestër. Emrin e sulmuesit rumun e ka prej kohësh në bllokun e tij. Profili i sulmuesit 21-vjeçar i intereson shumë trajnerit Simone Inzagi. Tare ka tentuar ta marrë rumunin edhe një vit më parë, por nuk mundi t’u shkonte deri në fund bisedimeve. Tani drejtuesi shqiptar i Lacios e ka sërish në vëmendje, por kuptohet që për ta blerë duhet bërë një investim i mirë, i arsyeshëm mbi të gjitha.

Genku e ka blerë Haxhin për 5 milionë euro dhe mund ta shesë për një shifër jo shumë më të lartë se kjo. I panjohur është deri në këtë moment qëndrimi i Gllasgou Rejnxhërs, që ka të drejtën të kërkojë blerjen e sulmuesit, pas përfundimit të kohës së huazimit. Nëse skocezët vendosin ta blejnë, atëherë situata komplikohet për Igli Taren, sepse duhet një sforco financiare më e madhe. Gjithsesi, ai po monitoron gjithçka me shumë vëmendje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë