Sport

Peshëngritja në duart e një gruaje. Çuni: Unë, presidente terreni

Federata Shqiptare e Peshëngritjes zhvillon nesër zgjedhjet për presidentin e saj të ri. Theodhor Masllavica ka dhënë dorëheqjen për arsye personale dhe vendin e tij pritet ta marrë Eglantina Çuni, një trajnere peshëngritjeje nga Elbasani. Do të ishte hera e parë që kjo federatë do të drejtohej nga një femër.

Eglantina Çuni është kandidate e vetme për postin e presidentit të FSHP-së, ka një përvojë mbi 25-vjeçare me këtë sport dhe pretendon se duke njohur problematikën, do të arrijë të bëjë diçka pozitive si drejtuesja me e lartë e peshëngritjes. Për Gazeta Si, Çuni tregon në mënyrë të përmbledhur platformën e saj për ta çuar peshëngritjen në nivelin që meriton.

Eglantina Çuni me sportistet e saj. Gazeta Si, 13 nëntor 2020

“Jam kandidate e vetme për presidencën e peshëngritjes, por kjo nuk do të thotë se jam 100% fituese, do ta tregojë nesër votimi, – thotë fillimisht Çuni. Jam trajnere aktuale e Elbasanit, 4 herë kampione në 2019-ën dhe kam një karrierë mbi 25-vjeçare me këtë sport. Kam stërvitur në Elbasan vajzat në Elbasan për shumë vite dhe kemi thyer një tabu”. Ja dhe intervista e plotë e Çunit:

Pse vendosët të kantidoni për postin e presidentit të Federatës së Peshëngritjes?
Sepse kam ide, kam projekte dhe dua ta zhvilloj këtë sport, dua ta shikoj lart e më lart. Na bashkëpunim me sportistët tanë dhe trajnerët, pasi kjo gjë nuk bëhet vetëm. Gjëja kryesore është që të jemi të gjithë bashkë ne komuniteti i peshëngritjes, të mos kemi ndasi dhe të bëjmë më të mirën e mundshme, t’i japim vendin që i takon këtij sporti, nga të vetmit që ka sjellë medalje. Jam për garë të hapur.

Konkretisht, cilat do të jenë risitë që Eglantina Çuni do të sjellë te peshëngritja shqiptare?
Platforma ime ka në bazën e saj rritjen e numrit të sportistëve, pra dua të ketë masivitet në peshëngritje. Pastaj dua të shtoj edhe numrin e trajnerëve, sepse nëse nuk kemi trajnerë, nuk kemi as sportistë. Kërkoj ta zhvillojmë këtë sport edhe në qytete të tjera, të mos kemi peshëngritje vetëm në 13 qytete. Normalisht, do të shihet edhe infrastruktura. Gjëja e parë që do të bëj? Do të shkoj në çdo palestër, në terren, do të shoh sa është numri i sportistëve, sepse pandemia dëmtoi çdokënd dhe dëmtoi edhe peshëngritjen. Do të shoh bazën materiale, gjendjen e palestrave që lënë për të dëshiruar. Palestrat ndikojnë drejtpërdrejt. Të gjitha këto gjëra do të bëhen bashkë në një projekt, që me dashamirës tanët dhe biznesmenë të ndryshëm, të jemi konkurrues. Kudo duhet shkruar me projekt konkret. Kam pasur shumë telefonata nga federata homologe, kam mbështetje morale nga të gjithë faktorët.

Eglantina Çuni me ekipin që stërvit pas një aktiviteti. Gazeta Si, 13 nëntor 2020

A keni pasur kontakte me sportistët kryesorë?
Po, patjetër. Do të punoj në terren, bashkë me trajnerët dhe sportistët që të bëjmë më të mirën. Kam pasur kontakte me sportistët elitarë të peshëngritjes, siç janë Calja, Godelli, Shoraj dhe të tjerë.

Një temë delikate të peshëngritja është ajo e përdorimit të substancave të ndaluara. Keni një plan për këtë çështje?
Sigurisht, kam një ide për mënyrën si do të veprojmë. Së pari, duhet të sensibilizojmë gjithë sportistët me trajnime dhe “workshop”-e. Duhet të ndërgjegjësohemi një herë e mirë se çfarë të këqijash sjell në organizëm substanca e ndaluar, duke dëmtuar shëndetin, pa folur pastaj për gjërat e tjera. Kryesorja është shëndeti i sportistëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë