“Besoj se Hysaj do të shkojë në një klub, që do të luajë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, por jo domosdoshmërisht. Kemi disa zgjidhje në këtë moment dhe po i vlerësojmë, por ka ende shumë kohë dhe nuk është e përshtatshme të flasim më shumë”, – ka thënë Mario Xhufredi, prokuratori i mbrojtësit shqiptar të Napolit, për mikrofonët e “Radio Kiss Kiss”.
Telenovela e transferimit të Elseid Hysajt në një skuadër tjetër në verë sapo ka nisur dhe deri në fund të sezonit do të dalin në skenë shumë emra skuadrash. E sigurt në këtë moment është që shkodrani i Kombëtares do të largohet nga Napoli me parametra zero, ndaj dhe interesimi për të është gjithmonë në rritje.

Një pistë konkrete është Milani dhe duke iu referuar fjalëve të agjentit të mbrojtësit kuqezi, teksa deklaron se Hysaj do të shkojë në një skuadër Championsi, gjasat janë që të ketë një marrëveshje mes palëve para mbylljes së sezonit. Por nuk duhen nënvlerësuar edhe klubet e tjera italiane dhe veçanërisht Roma, ku luan mbrojtësi tjetër kuqezi, Marash Kumbulla.
Të hapura janë edhe alternativat jashtë Italisë, me PSG-në në krye. Hysaj është një futbollist me përvojë ndërkombëtare dhe të gjithë do ta donin, aq më shumë kur nuk duhet të shpenzojnë për të blerë kartonin e tij, por vetëm për pagën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje