Futboll

Doha favorite, milionat mund të çojnë “Superclasico”-n në Katar

“Khalifa International Stadium” i Dohës është gati të presë finalen e dytë të Kupës Libertadores, që do të luhet jashtë Argjentinës, pas vendimit të “Conmebol” për shkak të dhunës që shpërtheu disa ditë më parë. Stadiumet kandidate për zhvillimin e ndeshjes River Plejt-Boka Zhunior janë disa, por kryeqyteti i Katarit tani është favorit për “Superclasico”-n, që pritet të luhet më 8 ose 9 dhjetor. Është favorit për shkak të raportit që ka vendi arab me Konfederatën amerikano-jugore. Kompania ajrore “Qatar Airways” ka firmosur së fundi një marrëveshje si “Global Airline Partner” deri në vitin 2022 dhe nga sezoni i ardhshëm do të jetë sponsori kryesor i Kupës Libertadores.

Praktikisht, të gjitha skuadrat që do të marrin pjesë në Kupën Libertadores, do të udhëtojnë me “QA”, që është vetëofruar ta nisë zbatimin e marrëveshjes një muaj para kohe. Që do të thotë se udhëtimi i skuadrave nga Buenos Airesi në Doha do të bëhet me shpenzimet e Katarit dhe jo të Conmebol. Por ka vetëm një problem, që e shqetëson River Plejtin: “Qatar Airways” është sponsor i Bokës, përveçse i Romës. Kjo kompani do të derdhë në arkat e klubit të “punëtorëve” 6.7 milionë dollarë në vit deri në fund të sezonit 2022/2023.

Nga trazirat para ndeshjes River-Boka

Asgjë nuk është rastësore, duke marrë në konsideratë faktin se pas 4 vitesh zhvillohet Botërori i Katarit dhe emirët e këtij vendi synojnë që të rrisin sa më shumë interesin e qytetarëve për futbollin. Në këto kushte, “Superclasico” do të ishte një rast perfekt për ta bërë këtë gjë. Por jo vetëm kaq: fituesi i Kupës Libertadores do të përfitojë 10 herë më shumë dhe humbësi 4 herë më shumë nga çmimi që jep Conmebol. Një propozim i parezistueshëm, por ka një anë negative për njërin nga klubet dhe që lidhet me Botërorin e Klubeve, që zhvillohet në Emiratet e Bashkuara. Nëse trofeun e fiton Boka, tifozët e saj rrezikojnë të gjobiten deri në 135 mijë euro. Për shkak të prishjes së marrëdhënieve tregtare me Katarin, i akuzuar për financim të terrorizmit islamik, në Emiratet e Bashkuara Arabe ka një ligj, që ndalon veshjen e fanellave me emrin e një sponsori katariot. Në rastin më të keq, dënimi shkon deri në 15 vite burg. Ndëshkimi ka nisur të ekzekutohet që në vitin 2017, me një tifoz të Barcelonës, që mbante një fanellë origjinale me logon”e inkriminuar”.

Conmebol e konsideron pistën e Katarit si më të mirën sa i takon sigurisë, por ka edhe një disavantazh: distanca prej 13 mijë kilometrash në vijë ajrore mes Buenos Airesit dhe Dohës. Një distancë e largët, që do të vinte në dyshim udhëtimin e tifozëve argjentinas për ta ndjekur ndeshjen nga afër. Një variant i hapur mbetet Paraguai, madje policia në këtë vend ka nisur të marrë masat organizative për dy stadiumet, ku mund të luhet ndeshja. Majemi dhe Xhenoa janë dy vende të tjera që janë shprehur të gatshme të mirëpresin derbin argjentinas, por favorit është Katari me potencialin e jashtëzakonshëm financiar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë