Ne rrjet

‘Donbasi si Kosova’, mediat serbe kundër Putinit: Goditje pas shpine!

Gazeta Si – Një ditë pas krahasimit që bëri Vladimir Putinit për Kosovën, si një precedent për njohjen nga Rusia të rajoneve të Donbasit (Luhansk dhe Donjcek), mediat serbe reaguan në mënyrë agresive ndaj fjalëve të tij.

Tabloidet, por edhe mediat më serioze të Beogradit, kanë shpërthyer në faqet e tyre të para, me tituj anti-Putin.

Në shkrimet e tyre, ata kanë vënë në dyshim marrëdhëniet me Rusinë, duke përdorur shprehje si “interesa të ulëta” apo “thikë pas shpine”.

Gazeta ‘Blic”, sjell një ballinë në të cilën vihet në pikëpyetje besnikëria e serbëve ndaj Putinit: “A i jemi betuar ne si komb shumë presidentit rus: Putini i ka harruar serbët dhe Kosovën për shkak të luftës”.

Tabloidi “Srpski Telegraf”, është shumë më i ashpër, në ballinën e së enjtes ata shkruajnë: “Kështu janë vëllezërit rusë? Putini e goditi Serbinë pas shpine: Ai e shkëmbeu Kosovën me Donbasin”.

Edhe “Kurir” ka goditur Putinin në faqen e tij të parë: “Interesi lakuriq: Putini mbron interesat në Donjetckut dhe Luhanskut me interesin e tij, pa marrë parasysh pozicionin e Serbisë në Kosovë”.

Në vazhdim të titullit, është interesant të theksohet mesazhi: “Shteti ynë duhet të udhëhiqet ekskluzivisht nga interesat e veta”.

Tabloidi “Alo”, përdori deklaratën e Putinit në faqen e tij të parë në një “kontekst rajonal”. “Festë në Prishtinë, Zagreb dhe Sarajevë për shkak të deklaratës së Putinit”, – shkruan “Alo”.

Linja “rajonale” përfshin edhe “Vecernje Novosti”, e redaktuar nga propagandisti famëkeq i Millosheviçit, Milorad Vuçeliç.

Ky i fundit ka mbështetur fuqishëm dhe hapur Moskën që nga fillimi i pushtimit rus, ndryshe nga disa gazeta të tjera nën kontrollin e Vuçiçit.

“Novosti” nxjerr në pah mbulimin e mediave kroate dhe boshnjake, kështu që së bashku me ‘screenshot-et’ e titujve nga portalet “Jutarnji list” dhe “Dnevnik.ba”, ata shkruajnë: “Sulmet nga Kroacia dhe BeH për shkak të deklaratës së kreut të Federatës Ruse”.

Tabloidi “Objektiv” shkruan: “Thikë pas shpine: Putin njeh Kosovën”.

Siç mëson media serbe “Blic”, Vuçiç do të ketë një fjalim të premten ose të shtunën, ku do të merret me deklaratën e presidentit rus për njohjen e rajoneve të Ukrainës.

Sipas gazetës Ekspress” në Kosovë, Vuçiç pritet të flas edhe furnizimin me gaz rus për Serbinë, veçanërisht në kuadër të ndërprerjeve të furnizimit nga Bullgaria fqinje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë