Politike

Donfried: BE t’i nisë sa më parë bisedimet me Shkupin dhe Tiranën

Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, gjatë vizitës në Shkup, i dha mbështetje Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, raporton Radio Evropa e lire

Pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, zyrtarja amerikane tha se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian, pasi vendi, sipas saj, i ka përfunduar të gjitha reformat e nevojshme për t’u anëtarësuar në BE.

“E kemi thënë tashmë dhe do ta përsërisim se ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian. Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht aspiratat tuaja dhe dëshirojmë që sa më shpejt të jetë e mundur të mbahet konferenca ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ju keni përfunduar detyra të vështira duke përmbushur reformat e nevojshme dhe meritoni të ecni përpara me shpejtësi”, deklaroi Donfried.

Ajo tha se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, do të kontribuojë për një stabilitet më të madh në Ballkan dhe një prosperitet më të madh në Evropë, ndërsa vlerësoi lart edhe mbështetjen që autoritetet maqedonase i kanë dhënë Ukrainës në luftën kundër agresionit rus.

“Ju jeni mbrojtësit e demokracisë dhe të sundimit të bazuar në rregulla. Ju qëndruat së bashku me partnerët ndërkombëtarë në mbështetje të popullit ukrainas. Ju e dini se sa e rëndësishme është liria dhe e keni vërtetuar shumë herë se jeni një partner i qëndrueshëm. Kjo është një kohë sfidash dhe mundësish. Maqedonia e Veriut ka treguar se është e aftë t’i mbrojë të drejtat e njeriut. Duhet të mbani ritmin e reformës, por keni dëshmuar se mund t’i përballoni sfidat”, theksoi Donfried.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, tha se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian paraqet politikë të sigurisë, andaj, sipas tij, anëtarësimi i rajonit në BE është i një rëndësie të jashtëzakonshme për sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe evropian.

Osmani tha se Maqedonia e Veriut do të jetë vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që nis një partneritet strategjik me SHBA-në.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë