Ne rrjet

Dorëheqja e Zaev, BE: Maqedonia e Veriut të vijojë reformat

Bashkimi Evropian i bëri thirrje të martën Maqedonisë së Veriut që të vijojë zbatimin e reformave të lidhura me Bashkimin Evropian, reagimi i parë prej mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Maqedoni të Veriut më 31 tetor dhe dorëheqjes së kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev.

“Ne jemi në dijeni të dorëheqjes së kryeministrit Zaev. Është me rëndësi që vendi të vazhdojë implementimin e reformave të lidhura me BE-në”, tha Ana Pisonero, zëdhënëse e BE-së për çështje të zgjerimit.

Duke përcjellë qëndrimin e Komisionit Evropian, Pisonero ka rikujtuar se edhe misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR-it ka vlerësuar se zgjedhjet lokale në Maqedoni të Veriut janë zhvilluar duke respektuar liritë themelore.

“Administrata që ka organizuar zgjedhjet bëri përpjekje për të adresuar disa mungesa procedurale, që ishin parë në raundin e parë. Megjithatë retorika negative dhe dyshimet për presion ndaj votuesve dhe kandidatëve, kanë vazhduar të ndikojnë në zgjedhje”, thuhet në reagim.

BE ka bërë thirrje që autoritetet dhe palët tjera të përfshira, të adresojnë rekomandimet e misionit vëzhgues me kohë, në mënyrë që ato të zbatohen.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithë kryetarëve të rinj të komunave që të kontribuojnë në avancimin e reformave në agjendën evropiane, në të mirë të qytetarëve të tyre”.

Sipas Komisionit Evropian, Maqedonia e Veriut i ka përmbushur të gjitha kushtet për nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë