Njeriu që udhoqi fushatën e Partisë Demokratike në Qarkun e Lezhës, një nga vetëm katër qarqet ku opozita doli fituese përballë Partia Socialiste, nuk do të jetë pjesë e parlamentit të ri.
Mark Marku ka dorëzuar publikisht dhe me revoltë dorëheqjen. Ai konfirmon se nuk do ta marrë pjesë as në mbledhjen e Këshillit të ri Kombëtar, të thirru për t’u mbledhur ditën e hënë dhe shpërthen në akuza si ndaj Lulzim Bashës, ashtu edhe ndaj Sali Berishës, që e quan kryetar real të PD, duke i akuzuar që të dy se e kanë shndërruar partinë në mbrojtëse të interesave personale të tyre.
“Kështu si po vepron, PD po shndërrohet në një parti që mbron interesat personale të dy liderëve të vet, Berishës dhe Bashës, të një grupi të ngushtë drejtuesish të PD-së dhe ndoshta edhe të disa prej deputetëve të saj duke i tradhtuar interesat e atyre që e kanë mbështetur me aq mund, përkushtim e sakrifica”, shkruan në një editorial për Panoraman tashmë deputeti i zgjedhur i dorëhequr i PD.
Marku e cilëson procesin e brendshëm zgjedhor në PD një maskaradë dhe e krahason atë me zgjedhjet e 25 prillit. Ai akuzon lidershipin e partisë për paqartësi në aksionin opozitar që do të ndjekë në shtator.
“Asnjë përgjigje për strategjitë dhe taktikat, me të cilat PD, si opozita më e madhe në vend, do të përballet me regjimin e rilindjes. Është irrituese të shohësh se këto tre muaj, PD i është përgjigjur maskaradës së madhe me disa minimaskarada të ngjashme, veçse tashmë të zhvendosura nga skena kombëtare në një skenë më të vogël, në atë opozitare”, thotë ai.
Ish-drejtuesi i fushatës së PD-së në Lezhë thotë se Lulzim Basha nuk i fitoi zgjedhjet brenda partisë.
“Fitoi thjesht për rutinë, pasi në partitë shqiptare ku secili avancon në karrierë politike për shkak të servilizmit ndaj kryetarit, askush nuk mund ta konkurrojë kryetarin, aq më tepër në rastin e PD-së, ku, siç rezultoi më vonë, përtej kryetarit ka kryetar më të fuqishëm se kryetari”, shton Marku.
Ai e quan Bashën kryetar të partisë së Berishës, ndërsa identifikon tri etapa të rënies së PD.
Etapa e parë e rënies thotë se ishte vendimi për të mos protestuar për manipulimin e zgjedhjeve. “Beteja për denoncimin e manipulimit të zgjedhjeve. Zgjedhjet u manipuluan, por ne nuk protestojmë. Ne ndjekim procedurën, por harrojmë që po me procedurë triumfoi nazizmi në Gjermani, putinizmi në Rusi, erdoganizmi në Turqi”.
Eta e dytë e rënies, sipas Mark Markut ishte fushata për zgjedhjet e kryetarit të PD. “Pa vizion, pa alternativë, pa perspektivë rrugëdalje nga kriza, pa perspektivë të ardhjes në pushtet, pa një platformë ndryshimi, pa brejtje ndërgjegje për gjendjen e popullit opozitar dhe sakrificat e tyre, pa ndjesë për dy humbjet, pa qoftë edhe një shkëndijë shprese për rrugën e ardhshme drejt pushtetit nga asnjëri prej kandidatëve”.
Etapa e tretë, Mark Marku rendit Kuvendin e 17 korrikut. “Basha kishte bashkuar në një fjalim të gjatë, prej gati një ore shumë fjalë, të cilat i hodhi si fara kungulli mbi kryet e delegatëve. Pas këtij fjalimi, të gjithë ishin edhe më të paqartë për vizionin e ri të PD-së. Ishte trishtuese të shihje aty të mbledhur me mijëra përfaqësues të strukturave të PD-së, pra, elitën politike të saj, të cilët, të shqetësuar për humbjen, prisnin një debat të gjallë nga ku mund të dilnin mijëra propozime për transformimin e PD-së në një forcë politike moderne të aftë për t’i paraqitur anëtarësisë së PD-së, por edhe shoqërisë, një ofertë të re konkurruese, ndërkohë që aty nuk ndodhi asgjë e tillë”.
Pas këtyre etapave, Marku paralajmëron etapën e katërt, që citon mbledhjen e Këshillit Kombëtar të së hënës, ku paralajmëron se nuk do të marrë pjesë. “Kam krijuar përfundimisht bindjen se unë personalisht dhe PD kemi vektorë gjithnjë e më të kundërt mendimi dhe veprimi. Unë mendoj dhe propozoj (siç e kam propozuar edhe në kuvendin e fundit kombëtar, por edhe vite më parë kur isha deputet i kësaj partie) fillimin e një procesi ndryshimi thelbësor të PD-së, ridimensionimin e marrëdhënieve me shoqërinë, përgatitjen e një oferte konkurruese elektorale, ndryshimin e modelit të lidershipit dhe të marrëdhënies së tij me PD-në, ndërkohë që PD vazhdon rutinën 8-vjeçare të humbësit. Për këtë arsye kam vendosur të mos marr pjesë në etapën e katërt të një rutine të tillë humbëse”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje