Politike

Dorëhiqet Najada Çomo, qëndron në Infektiv pas përkeqësimit të situatës nga Covid. Mimi Kodheli do ta zëvendësojë në Parlament

Najada Çomo nuk do të jetë deputete në Parlamentin e ri, që pritet të mblidhet për herë të parë më datë 9 shtator.

Shefja e Spitalit Infektiv i ka dorëzuar dorëheqjen Kryeministrit Edi Rama, duke zgjedhur që të qëndrojë në profesionin e mjekes me arsyetimin e përballimit të situatës së pandemisë së shkaktuar nga varianti Delta i Covid.

“Më kërkoi të pranoja tërheqjen e saj nga roli i deputetes duke ndjerë shumë të fortë detyrimin për të mos u ndarë nga ekipi i saj fantastik, kur Delta nisi të mbushë shtretërit e terapisë intensive. Një shembull kuptimplotë i përgjegjësisë së lartë për detyrën. Lufta nuk ka mbaruar. Vjeshta e dimri mund të jenë të vështirë, por falë mjekëve janë shpëtuar me mijëra jetë dhe Shqipëria po mbyll një sezon turistik të hapur për të gjithë”, tha Rama.

Najada Çomo u zgjodh deputete në Qarkun e Tiranës, ku ishte renditur e dyta në listën e kandidatëve, pas Luljeta Bozos.

PS ka marrë 18 mandate në Tiranë, por në vendin e 19-të ndodhet Pandeli Majko. Duke pasur parasysh votën preferenciale në listën e kandidatëve dhe kushtin që një kandidate e gjinisë më pak të përfaqësuar nuk mund të zëvendësohet nga një kandidat i gjinisë tjetër, dorëheqja e saj rikthen në Kuvend Mimi Kodhelin, që në listën fillestare ishte kandidatja e 21-të, ndërsa pas përmbysjes së listës për shkak të thyerjes së herësit u ngjit në vendin e 20, pas Majkos.

Rama: Vaksinohuni! Pfizer nuk është më e mirë se Sinovac

Kryeministri foli për mbylljen e një mandatit të vështirë me dy kriza si ajo e shkaktuar nga tërmeti i nëntorit 2019 dhe më pas nga pandemia e Covid. Për të dyja tha se Qeveria që mbyll mandatin ka lënë gjurmë të pashlyeshme.

Sa i takon pandemisë, Rama bëri thirrje për vaksinim. “Askush prej atyre që sot marrin frymëmarrje të asistuar nga respiratorët nuk është i vaksinuar, ndërkohë që disa të vaksinuar nuk shfaqën shenja rëndimi të gjendjes”, tha ai.

Përgjigje dha edhe për skeptikët e cilësisë së vaksinës kineze. “Për skeptikët e vaksinës Sinovac që kërkojnë medoemos Pfizer, mbase vlen e dhëna se në spital ndodhen gjysmë për gjysmë të vaksinuarit me Pfizer dhe Sinovac”, u shpreh ai.

“U bëj thirrje të mos humbasin kohë me mendimin e gabuar që Pfizer bën, Sinovac s’bën por të përfitojnë një orë e më parë nga muaji i hapur i vaksinimit. Vaksinohuni!”, deklaroi Rama.

“Teoritë e konspiracionit e lënë trupin e njeriut të paarmatosur. Nëse sot jemi më të mbrojtur, ka vetëm një arsye, numri i lartë i të vaksinuarve në Shqipëri. Të gjitha studimet thonë që nuk ka imunitet natyral afatgjatë ndaj këtij virusi afatgjatë”, vijoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë