Art dhe Kulture

Dorëshkrimi i Ajnshtajnit mbi relativitetin shitet për 11.6 milionë euro në ankand

Një dorëshkrim me autograf i Albert Ajnshtajnit, në të cilin fizikani i famshëm mbante shënime dhe përgatiti teorinë e famshme të relativitetit, u shit në një ankand në Paris për shumën rekord prej 11.6 milionë euro. Të dhënat e mëparshme për një dokument të Ajnshtajnit ishin 2.8 milionë dollarë në 2018 për një letër me temën e Zotit dhe 1.56 milionë dollarë në 2017 në Jerusalem për një letër mbi sekretin e lumturisë. Ankandi shkoi shumë përtej parashikimeve: vlera e dorëshkrimit, në fakt, vlerësohej nga tre deri në katër milionë euro.

“Pa asnjë dyshim, ky është dorëshkrimi më i çmuar i Ajnshtajnit i nxjerrë në ankand”, nënvizoi Christie’s Paris, ku u zhvillua ankandi për shtëpinë Aguttes, i transmetuar drejtpërdrejt. Dokumenti i jashtëzakonshëm është një dorëshkrim me 54 faqe me autograf, i hartuar midis qershorit 1913 dhe fillimit të vitit 1914 në Cyrih nga fizikani i famshëm me origjinë gjermane dhe bashkëpunëtori dhe miku i tij i besuar, Michele Besso, një inxhinier zviceran. Një draft i çmuar në të cilin dy shkencëtarët, pavarësisht llogaritjeve matematikore që do të rezultonin të gabuara, përshkruajnë atë që do të bëhet teoria e relativitetit.

Çmimi erdhi pas 11 minutash pazare mes koleksionistëve nga vende të ndryshme. Dokumenti ishte pjesë e Koleksionit Aristophil, i cili më vonë u vu në likuidim. Dorëshkrimi dëshmon për një fazë vendimtare në zhvillimin e teorisë së relativitetit të përgjithshëm, e cila ka riformuar të kuptuarit modern se si funksionon universi. Si i tillë, është padyshim dorëshkrimi më i rëndësishëm i Ajnshtajnit, Çmimi Nobel i Fizikës i vitit 1921, që është shfaqur ndonjëherë në një ankand.

Dorëshkrimi i Ajnshtajnit

Ajnshtajni ishte nga ato njerëz që mbante shumë pak shënime, kështu që fakti i thjeshtë që dorëshkrimi mbijetoi dhe arriti te ne e bën atë të jashtëzakonshëm”, tha Vincent Belloy, një ekspert në shtëpinë e ankandit.

Shtëpia e ankandeve Christie’s tha se shitja kishte “tërhequr koleksionistë nga e gjithë bota, të cilët e kuptuan rëndësinë e dokumentit”.

Megjithatë blerësi i dorëshkrimit prej 54 faqesh nuk është zbuluar.

Teoria e relativitetit të Ajnshtajnit hodhi dritë mbi lindjen e universit, orbitat planetare dhe vrimat e zeza.

Majin e kaluar një letër e shkruar nga Ajnshtajni që përmbante ekuacionin më të famshëm të teorisë, E=mc², u shit për më shumë se 1.2 milionë dollarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë