Tashmë ka përfunduar gjithçka. “Nuk dua të jap shpresa kot”, – ka thënë presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, i cili duket i dorëzuar për Mesin. Pas 20 vitesh argjentinasi do të largohet nga Barcelona. Laporta ka dalë në një konferencë shtypi në “Camp Nou”, ku ka konfirmuar atë çfarë shkruhej në komunikatën e klubit.
“Fair play”-i financiar i vendosur nga Liga nuk na lejon të rinovojmë kontratën me Leo Mesin”, – theksoi Laporta. Kur u pyet, nëse situata mund të përmbyset, ai u përgjigj: “Nuk ka më shpresë, u përpoqëm, por nuk arritëm të gjenim një akord. Bisedimet kanë përfunduar. Leo ka propozime të tjera dhe ka nevojë për kohë për klubin e ri. Akordi mes nesh ishte total, dje duhej të firmosnim, pastaj gjithçka ndryshoi nga vendimi i Ligës. Nuk më mbetet gjë tjetër, veçse ta falënderoj Mesin për atë që ka bërë për ne, mbetet në historinë e klubit”.

Laporta shpjegoi se Barcelona i propozoi Ligës një kontratë dyvjeçare për Mesin, por ajo u refuzua, më pas u propozua një kontratë e dytë 5-vjeçare, por Mesi, sipas presidentit katalanas, nuk ishte dakord, sepse ka ide të tjera dhe dëshiron të luajë maksimumi edhe dy vjet. Megjithatë, edhe ky propozim nuk u pranua nga Liga.
Laporta iu referua edhe reduktimit të mundshëm të pagave për lojtarët e tjerë: “Duhej të shkurtojmë shumë miliona për shumë lojtarë, administrimi i dobët na ka vënë me shpatulla pas murit. Kemi gjetur një situatë ekonomike shumë më të keqe se ajo që mendonim dhe nuk kemi mundësi për të bërë manovra financiare. Nuk mund t’u kërkoheshin të tjera sakrifica lojtarëve”.
Në fund Laporta tha: “Klubi është mbi gjithçka, mbi çdo lojtar, ndaj dhe duhet mbrojtur. Me rregullat ekonomike të Ligës është e pamundur të firmosësh me Mesin. Nuk kam çfarë të them tjetër”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje