Futboll

Dortmund-Bajern, sot sfida për lidershipin e Bundesligës

Përplasen mbrëmjen e sotme dy skuadrat që udhëheqin kampionatin në Gjermani me pikë të barabarta: sulmi atomik i bavarezëve kundër mbrojtjes solide të verdhezinjve.

Borusia Dortmund dhe Bajern Munih, dy rivalë për titullin, vijnë në takimin direkt me pikë të barabarta në krye të klasifikimit. Nuk mund të kishte situatë më të mirë për një sfidë të tillë: Borusia Dortmund dhe Bajern Mynih janë gati të dhurojnë spektakël në një ndeshje të madhe, që mund të sjellë një hierarki të re në Bundesligë, pa harruar Lajpcigun e vendit të tretë, 2 pikë prapa. Projektorët do të jenë në “Westfalenstadion” të Dortmundit, ku në orën 18:30 starton ndeshja.

Një sfidë mes dy skuadrash që kanë fituar 5 ndeshje dhe që kanë pësuar një humbje në këto javë të para të Bundesligës: Borusia u mund në fushën e Augsburgut dhe Bajerni ra një ditë më pas, kur humbi 4-1 në fushën e Hofenheimit. Fatet e dy skuadrave janë të kryqëzuara. Përplasja e parë e sezonit ishte ajo e 30 shtatorit në Superkupën e Gjermanisë, e fituar 3-2 nga bavarezët, me golin e Kimish 8 minuta para fundit, pasi Borusia kishte rikuperuar avantazhin e dyfishtë të Bajernit nga 2-0 në 2-2.

Nga një ndeshje mes Borusia Dortmund dhe Bajernit. Gazeta Si, 7 nëntor 2020

Kohët e fundit Bajerni ka bërë ligjin në të tila ndeshje rivalësh. Në 7 ndeshjet e fundit ka fituar 6 herë dhe ka pësuar vetëm 1 humbje, me rezultatin total 25-5. Dy klubet, në fakt kanë filozofi të ndryshme për futbollin.

Me ardhjen e trajnerit Hansi Flik, Bajerni është bërë një makineri e fuqishme, e aftë për të fituar tripletën sezonin e fundit dhe për t’i fituar të tria sfidat kundër Borusia Dortmundit, ku veç Superkupës së Gjermanisë, i ka mundur rivalët me rezultatin total 5-0 në dy ndeshjet e kampionatit. Bavarezët shënojnë me “breshëri”, por Borusia është mjaft solide në prapavijë. Bajerni ka shënuar 24 gola në 6 ndeshje të Bundesligës, Dortmundi ka pësuar vetëm 2 gola. Një sfidë stilesh…


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë