Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të SPAK për dosjen “184” dhe kthimin e saj në Dibër.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, në një dalje për mediat nga selia blu thotë se ky institucion është i kapur nga PS.
Sipas tij, kreu i SPAK, Arben Kraja, është një shërbëtor tjetër i Edi Ramës në sistemin e drejtësisë.
“Hetuesi i diktaturës komuniste, që sot drejton Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, Arben Kraja, nuk është emëruar në krye të SPAK-ut për të ndëshkuar politikanët me pushtet, por për t’i mbrojtur ata. Vendimi i tij i paligjshëm dhe politik për të mos hetuar krimin e rëndë të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër i shërben kreut të grupit të strukturuar kriminal, Edi Rama, i cili urdhëroi masakrën elektorale të Dibrës 3 vjet e gjysmë më parë. Pas vendimit që synon varrosjen e dosjes ‘184’ dhe çlirimit penal të Edi Ramës e Damian Gjiknurit nga akuzat për vjedhjen e zgjedhjeve, Partia Demokratike e konsideron Arben Krajën një shërbëtor tjetër të Edi Ramës në drejtësi”, shprehet ndër të tjera ish-deputeti.
Alibeaj tha se ridërgimi i kësaj dosje në Dibër varros hetimet e këtij krimi të dokumentuar zgjedhor, që sipas tij është edhe kushti i Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave.
“Duke ridërguar dosjen 184 në Dibër, drejtuesi i SPAK, praktikisht, ka varrosur hetimin e një krimi të dokumentuar zgjedhor, i cili është kusht i Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Juridikisht, nuk ka asnjë dilemë që Arben Kraja mashtron për llogari të Edi Ramës, kur thotë se SPAK nuk ka kompetencë për të hetuar Edi Ramën”, thotë Alibeaj.
Ndër të tjera, Alibeaj tha se “Partia Demokratike ka paralajmëruar gjithashtu, se dosjet 339 dhe 184 për shitblerjen e votave janë një nga testet e mëdha, nëse do të kemi apo jo SPAK të vërtetë, siç e presin shqiptarët. Me vendimin për të refuzuar hetimin e dosjes 184, Arben Kraja, tregoi se SPAK është në rrezik të kthehet në një shtojcë të partisë në pushtet dhe kryeministrit të vendit, duke dëmtuar rëndë imazhin, integritetin dhe besimin e shqiptarëve tek Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje