SPAK ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë rekursin kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që riktheu në detyrë gjyqtarin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci, i akuzuar për falsifikim dokumentacioni.
Daci u shpall i pafajshëm nga kjo gjykatë, që në vendimin e zbardhur thotë se ai nuk ka falsifikuar asnjë dokument dhe se akti i shkarkimit, apo largimit nga puna nuk është i detyruar që të shënohet në dokumentacionin e kandidimit të tij për anëtar të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pavarësisht pretendimit të kundër të prokurorëve të SPAK.
Gjykata e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar thotë gjithashtu se gjyqtari Luan Daci nuk ka fshehur, apo ndryshuar përmbajtjen e dokumentit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që e ka shkarkuar në vitin 1997.
Prokurorët e Posaçëm e vlerësojnë këtë interpretim të gjykatës së Apelit si të cekët dhe se nuk është marrë parasysh rëndësia e këtij detaji në momentin e kandidimit të Dacit si anëtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që është edhe shkalla e dytë e vettingut.
Sipas SPAK, në rrethana të tjera, pra nëse Luan Daci do të kishte deklaruar në formularin e kandidimit masën e shkarkimit të ndërmarrë ndaj tij nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në vitin 1997, atëherë ai do të ishte përjashtuar automatikisht nga gara, pasi ky është një kusht për anëtarët e organeve të vettingut, që parashikohet nga ligji, ndaj SPAK akuzon Luan Dacin për falsifikim dokumentacioni përmes paraqitjes së rrethanave të rreme dhe të mosdeklarimit.
Gjykata e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjeti cene edhe në hetimin e prokurorëve të posaçëm. Sipas saj, hetimet nuk janë zhvilluar mbi faktet e nevojshme për ndjekjen penale me akuzën e falsifikimit të dokumenteve për Luan Dacin, por ato janë bazuar tek pozicioni i këtij të fundit si anëtar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Gjykata tërthorazi në vendim nuk e mohon këtë fakt, por nënkupton se kjo nuk është kompetencë e Prokurorisë së Posaçme, por e institucioneve që u ngarkuan nga ligjet në kuadër të reformës në drejtësi për të përzgjedhur anëtarët e institucioneve të rivlerësimit.
Por, prokuroria thotë në rekursin e dorëzuar në Gjykatën e Lartë se Gjykata e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka anashkaluar ligjin e vettingut dhe parashikimet e tij për kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për anëtarë të strukturave të rivlerësimit.
“Sipas logjikës së Gjykatës së Apelit aplikanti mund të deklarojë çfarë t’i vijë për mbarë dhe nuk mban përgjegjësi për ato që deklaron, sikur të jemi para një ‘letre pa vlerë”, thotë SPAK.
Prokurorët akuzojnë Dacin se gjatë marrjes në pyetje në komisionin e posaçëm të ngritur në parlament për përzgjedhjen e anëtarëve të KPA-së ka mohuar se është shkarkuar dhe ka deklaruar se është larguar me dorëheqje. SPAK thotë se kjo tregon që gjyqtari i KPA-së është në dijeni se zbulimi i masës disiplinore do ta skualifikonte menjëherë nga gara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje